Gjergj Vyshka 29.01.2015 18:35
Kamza dhe Kastrioti nuk kanë luajtur më shumë se 45 minuta, topi u zëvendësua me zënkat e futbollistëve. Një ndërhyrje e Ibrahimllarit ndaj një lojtari krutan ka shërbyer si sebep për konfrontim fizik. Kamza e ka nisur shpejt ndeshjen, ndërsa në aksionin e parë sulmues pas vërshëllimës së gjyqtarit ka kaluar në avantazh me anë të Ymerit. Mandej lojtari i ardhur nga Pogradeci, Kristi Laçka, ka shënuar golin e dytë.
Dhe diku nga fundi i pjesës së parë, qendërmbrojtësi Ibrahimllari i Kamzës ka ndërhyrë ashpër ndaj Stivenit. E lojtari afrikan ka reaguar duke e goditur në fytyrë futbollistin e Kamzës. Menjëherë kanë ndërhyrë trajnerët e të dy skuadrave për të qetësuar situatën. Madje ka ndërhyrë dhe Zani, i cili ka treguar për “Gazeta e Sportit” se nuk ishte normale ajo që ndodhi në këtë miqësore.
“Nuk di se çfarë emri t’i vë. Siç duket për ta ka pasur rëndësi rezultati, ndaj dhe kanë reaguar në këtë mënyrë. Por nuk ishte normale”, – ka nënvizuar Zani. Ndërkohë që kur dukej se palët u ndanë dhe gjërat u qetësuan, një futbollist i Kastriotit ka goditur me top një lojtar të Kamzës. Kaq ka mjaftuar dhe një herë futbollistët e të dy palëve janë përplasur fizikisht.
“Në këto kushte ishte e pamundur që të vazhdonte ndeshja, sepse çdo gjë më pas do të vinte duke e rënduar situatën. Ndaj e ndërpremë në fund të pjesës së parë”, ka përfunduar trajneri i Kamzës, Ylber Zani. Tashmë Kamza do të luajë ndeshjen e radhës miqësore me Mamurrasin, të premten në Pezë-Helmës.