Gjergj Vyshka 12.10.2014 09:05
Viktor Zuna mund të konsiderohet pa frikë një ndër legjendat e Dajtit dhe të futbollit të Kamzës. Jo vetëm kaq, por emri i Zunës është dhe në familjen e Tiranës, Kastriotit dhe Dinamos. “Tolja”, siç e thërrasin në jetën e përditshme të gjithë në Kamëz, e ka dhe një trashëgimtar në ekipin aktual të Kamzës.
Duke parë ndeshjen miqësore të para dy ditëve me Dinamon, Zuna për “Gazeta e Sportit” do të deklaronte: “Unë mendoj që Kamza me lojtarët që ka nuk duhet të diskutojë asgjë në Kategorinë e Parë. Sot ishte një ndeshje miqësore, atje kur trajneri Tafaj ka provuar të gjithë futbollistët që ka në dispozicion.”
“Mendoj se ndaj Kastriotit do të jetë krejtësisht ndryshe, sepse ka nevojë për t’u kthyer tek fitoret. Puna që bëhet në këtë skuadër ka nevojë të shpërblehet”, – ka shtuar ai. Ndërkohë ndeshjen miqësore me Dinamon e ka ndjekur dhe presidenti i Kamzës, Naim Qarri.
Kurse trajneri i skuadrës, Fatjon Tafaj, në pushimin e lojës është parë të debatojë jo pak me përgjegjësin e sporteve në Bashkinë e periferikëve të kryeqytetit, Albert Bana. Dhe në përfundim të ndeshjes është larguar menjëherë nga mjediset e stadiumit. Por për Zunën, duke vlerësuar dhe punën e Tafajit, Kamza do të dalë shumë shpejt nga situata ku gjendet.