AlbanianSport.com 15/11/2018 22:20
ASNN – Trajneri Ernest Gjoka mori edhe zyrtarisht në mbrëmje drejtimin e skuadrës së Kamzës. Ishte vetë klubi që njoftoi në profilin e vet në rrjetin social “Facebook” emërimin e trajnerit të ri. Gjoka, i cili një vit më parë mori në kushte të tilla edhe Vllazinë e Shkodrës dhe ka një “precedent” të rrezikshëm, por ka një epërsi për ta shpëtuar ekipin dhe kjo lidhet me kohën.
Ka ende shumë javë për t’u luajtur dhe mundësitë janë të mëdha të rikuperojë, për më tepër që në garën e mbijetesës këtë sezon janë katër skuadra. Për Gjokën është kthim tek ish-skuadra, pasi i ka drejtuar këta të fundit edhe në sezonin 2011-2012. Gjatë ditës sot u përfol për një trajneri italian, madje thuhej se ishte arritur marrëveshja, por Salvatore Kuilo nuk u realizua të jetë trajner i Kamzës.
Prandaj klubi nga periferia e kryeqytetit vendosi t’i besojë eksperiencës së një trajneri vendas, një trajneri që e njeh mirë mendësinë e futbollit shqiptar. Gjoka është, gjithashtu, trajneri që e shpalli Kukësin “kampion” dy sezone më parë. Ai po merr sidoqoftë drejtimin e një skuadre që ndodhet në pozita të vështira, në vendin e parafundit në renditje, me vetëm 8 pikë në 13 javë garë.
Sidoqoftë, Luftëtari e Tirana që ndodhen më para në klasifikim kanë përkatësisht 13 dhe 10 pikë, kurse në fund ndodhet Kastrioti me 7 pikë. Pra që Kamza të shpëtojë duhet të lerë pas 3 rivalët e saj të fundtabelës dhe shanset matematikore Kamza dhe trajneri i saj i ri Ernest Gjoka i kanë. Vendimtare për objektivat e tyre do të jenë duelet direkte me rivalët e fundtabelës, por edhe merkato e dimrit, ku Kamzës i duhet me patjetër të bëjë lëvizje.