Nderim Goci (Krujë) 02.11.2014 10:25
ASNN – Pas barazimit të arritur një javë më parë në Kavajë ndaj Besës, opinioni sportiv në Kamzës, priste që skuadra e tyre të shënonte tjetër rezultat pozitiv këtë herë në fushën e tyre, ndonëse përballë kishte skuadrën e Mamurrasit, të fuqizuar me futbollistë cilësor nga Kategoria Superiore. Pavarsisht humbjes skuadra vendase ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, duke merituar duartrokitjet e sportdashësve vendas. Ndeshja ka nisur e qetë dhe topi është qarkulluar më tepër në sektorët mesfushës. Në minutën e 15-të, Mihani regjistron rastin e parë të ndeshjes, pas një gjuajtjeje nga distanca 20 m dhe Sejdini në dy kohë ka pritur.
Por vendasit janë kundërpërgjigjur shpejt me anë të Olatunjit, pas një goditjeje të tij në afërsi të portës, por ndërhyrja e Bytyçit, largon rrezikun nga porta e tij. Pas disa minutash, vendasit humbasin dhe një rast tjetër të pastër, kur Blloku, edhe pse afër me portën nuk është në gjendje të finalizojë saktë. Për disa minuta, loja përqendrohet në sektorët e mesfushës, duke mos regjistruar ndonjë rast për shënim. Në fund të pjesës së parë, vendasit kanë një tjetër rast për të shënuar, me anë të Olatunjit, por, edhe këtë herë ka qenë i pafat. Topi i goditur prej tij në formë krosi, për pak sa nuk përfundon në rrjetë.
Në pjesën e dytë të ndeshjes, në vend që të prisnim këmbënguljen e vendasve, janë miqtë që kërkojnë të marrin frenat e lojës në dorë. Por, rastin e parë të kësaj pjese e kanë vendasit me anë të Olatunjit, i cili, ndonëse shfaqet rrezikshëm para portës, goditja e tij është për tu harruar. Ndeshja nga minuta në minutë fiton tjetër ritëm, por miqtë duken më konkretë para portës, ndërsa vendasit, megjithë dëshirën për të shënuar, sulmi vazhdon të çalojë. Në minutat e fundit, miqtë janë më këmbëngulës, dhe në sajë të kësaj këmbënguljeje, vjen dhe goli i shënuar nga ish-futbollisti i Kastriotit dhe i Lushnjës, Kate Fonseka.
I ndodhur në afërsi të portës së vendasve shënon për skuadrën e tij, duke i dhënë një tre 3-pikësh të artë, që e mban në krye të renditjes, së bashku me Besëlidhjen e Lezhës. Vendasit ndonëse reagojnë për të shënuar golin e barazimit, sulmuesit e tyre janë të pafat. Skuadra e trajnerit/lojtar, Fatjon Tafajit, regjistron kështu humbjen e dytë në fushën e saj (pasi e para ishte ajo humbje në tavolinë ndaj Veleçikut) dhe javën e ardhshme pret në fushën e saj Ilirinë e Fushë-Krujës.
Kamza – Mamurrasi 0-1
Shënues: Fonseka 81’
Kamza: Sejdini, Tafaj, Ibrahimllari (A. Lala 39’), Nino, Udoh, Maho (Zuna 63’), Lame (Keta 71’), Koleci, Xhemalaj, Olatunji, Blloku. Trajner: Fatjon Tafaj
Mamurrasi: Bytyçi, Sulollari, Abraham, Beqiri, Da Silva, Ramadani, Mihani, Fonseka, Mancaku (Karapici 60’), Tushe (E. Lala 63’), Tanushi (Shima 86’). Trajner: Ylber Zani
Gjyqtarët: A. Beqiri, A. Shkreta, R. Zajmi, J. Xhaja (Tirana)
Delegat: Astrit Maçi (Tiranë)
Vëzhgues: Engjëll Pjetrushi (Lezhë)
Kartona të verdhë: Mihani, Tanushi, Da Silva, E. Lala