Nderim Goci (Krujë) 25.10.2014 10:05
Humbja e pësuar me rezultat të thellë të mërkurën në Kupën e Shqipërisë, 0-5 me Flamurtarin, nuk e ka ulur aspak optimizmin e futbollistëve kamzalinj në pragndeshjen ndaj Besës , që do të luhet sot në Stadiumin “Besa” të Kavajës. Në ditën e zhvillimit të ndeshjes të Kupës, një pjesë e mirë e formacionit të bazë ka vijuar normalisht procesin stërvitor. Opinioni sportiv kamzali, nisur dhe nga prezantimet mjaft të mira të bërë në dy ndeshjet e fundit për kampionat, është optimist se skuadra e tyre e dhe ndaj verdhezinjve do të bëjnë të njëjtën paraqitje.
Të njëjtin mendim e ndan për AlbanianSport.com edhe mesfushori Melis Doku, që në ndeshjen ndaj Flamurtarit, bëri një paraqitje të mirë, duke marrë vlerësimet e stafit drejtues. “Dihet se Kupa nuk ishte objektivi primar për ne, – ka deklaruar ai. – E gjithë vëmendja është përqendruar tek ndeshja e radhës ndaj Besës që do të zhvillohet në Kavjaë, ku përgatitjet po bëhen me intensitet të lartë. Ndaj Besës do të hyjmë në fushën e lojës për të marrën më të mirën. Kam një parandjenjë që nga fusha e Kavajës nuk do të dalim pa pikë.”
Mesfushori 20-vjeçar, Doku, dje ka patur një ditë të veçantë, atë të 20-vjetorit të lindjes. Duke parë rëndësinë e ndeshjes që ka ndeshja ndaj Besës, stafi drejtues, ende nuk ka ide fikse për formacionin anti-Besa. Pas zhvillimit të seancës stërvitore, stafi drejtues dhe futbollistët përjetuan çaste festive, me rastin e 20-vjetorit të lindjes të futbollistit të tyre, Melis Doku, djalit të ish futbollistit të njohur kamzali, Bashkim Doku, sot në cilësinë e zv/trajnerit të kësaj skuadre