AlbanianSport.com 28/11/2014 17:35
ASNN – Jo vetëm sepse janë kampion bote në peshëngritje, por dhe sepse janë nderi i sportit shqiptar për gjithçka që kanë dhënë për vitin 2014, Daniel Godelli dhe Romela Begaj kanë ngritur flamurin e Pavarësisë në Vlorë. Gjithçka ka ndodhur në festimet për 102-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa përpara Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, por dhe nën ekzekutimin e himnit të Shqipërisë nga banda e ushtrisë, Godelli dhe Begaj në mënyrë ceremoniale kanë ngritur flamurin kuqezi.
Si bijtë e Ismail Qemalit, kampionëve të botës u ka takuar ta ngrenë atë flamur, të cilin e valëvisin sa herë janë në podiumin e medaljeve të aktiviteteve ndërkombëtare. Pasi Godelli dhe Begaj, por dhe të enjten Hysen Pulaku kanë bërë krenar të gjithë Shqipërinë për medaljet e tyre. Peshëngritja gjithnjë është dhe do të mbetet sporti i elitës në vendin tonë. Qytetarët vlonjatë, por edhe shqiptarë të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia, veshën kuqezi “Sheshin e Flamurit” për të kremtuar 102-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Në këtë 102-vjetor të Pavarësisë, flamuri nuk është ngritur nga truprojat e ceremonialit, sikurse ka ndodhur në të shkuarën, por nga dy kampionët e botës në peshëngritje, Daniel Godelli dhe Romela Begaj. Duke folur pak përpara ngritjes së flamurit për “Top Channel”, 2 kampionët kanë rrëfyer emocionet e tyre. “Është një kënaqësi, – ka deklaruar Romela Begaj. – Fati më i mirë mua dhe për Vlorën se unë jam vlonjate. Kënaqësi dhe falenderoj krerët e shtetit sepse kjo ngjarje është shumë e bukur për mua.” Ndërsa Danieli deklaroi: “Ne ngritëm flamurin kur morëm medaljen dhe tani është një gëzim dhe nder i madh për mua ta ngremë edhe këtu.”