AlbanianSport.com 26/04/2020 20:55
ASNN – Shpërthimi i epidemisë së koronavirusit ka bërë që të shpërthejnë edhe ide po aq të pazakonta në dukje, që sidoqoftë, kanë në thelb ruajtjen e shëndetit të futbollistëve, por edhe të gjithë njerëzve të përfshirë në një ndeshje. Kështu, një nga mjekët e shquar të futbollit në Spanjë ka thënë se fushat dhe topat duhet të sterilizohen para, gjatë dhe pas ndeshjes, kur kampionati spanjoll të rikthehet në fushën e blertë. Në një intervistë për të përditshmen vendase, “El Pais”, Rafael Ramos, i cili është edhe president i Shoqatës së Mjekëve të Futbollit në Spanjës, ka shpjeguar se, kur të kthehet, futbolli nuk do të jetë si ai që kemi njohur.
“Në fillim lojtarët nuk do të kenë kontaktin e njëjtë në fushë siç kanë pasur. Do të shohim një lloj tjetër futbolli”, ka thënë Ramos. “Çdo gjë do të jetë pak më ndryshe. Lojtarët nuk do të kapin njëri-tjetrin gjatë goditjeve nga këndi”. I pyetur nëse lojtarët mund të infektohen nëse topi i godet në fytyrë, Ramos ka thënë: “Jo, pasi gjithë materiali që përdoret, përfshirë edhe fusha dhe topat do të sterilizohen para dhe pas ndeshjes dhe në pushimin midis dy pjesëve të lojës. Nëse goditesh nga një top i sterilizuar në një fushë të sterilizuar, është e vështirë të infektohesh në atë mënyrë”. Sipas tij, Protokolli i Ligës spanjolle për rikthimin e futbollit përmban 4 faza.
Së pari do të ketë stërvitje njëshe apo në çifte; më pas stërvitje në grupe më të vogla; pastaj vijnë stërvitjet në skuadra. Faza e fundit është kthimi në fusha për ndeshjet e futbollit, në rast se nuk ka pasur ndonjë shpërthim te klubet gjatë 3 fazave të kaluara. Në fazën e 4-t do të shtrohen pyetje tjera. “Duhet të vendosim nëse skuadrat do të qëndrojnë së bashku në një hotel”, ka thënë Ramosi. Ideja që lojtarët të mbyllen me bashkëlojtarët ka hasur në rezistencë. Por mjeku thotë se mund të jetë e pashmangshme. “Mbyllja e lojtarëve, stafit mjekësor dhe teknik të klubit në një hotel 15 ditë para rifillimit, do të na siguronte që ata janë të lirë nga COVID-19”, – pohon Ramosi.
“Dhe mund të bëhet shumë e vështirë që ata të infektohen, – ka vijuar ai. – Pa këto masa, efikasiteti i protokollit mund të ulet paksa.” Mjeku ka këmbëngulur se koronavirusi nuk është shqetësimi i vetëm në mesin e mjekëve të Ligës spanjolle. “Lojtarët nuk kanë luajtur ndeshje dhe janë izoluar për 8 javë dhe jo të gjithë kanë shtëpi të mëdha për t’u stërvitur në kushtet e shtëpisë, – ka theksuar ai. – Ne nuk e dimë se sa gjatë do të duhet që ata ta marrin veten fizikisht.” Disa lojtarë janë të dëshpëruar që duhet të nënshkruajnë një dokument se pajtohen të rikthehen. “Kjo nuk na largon ne përgjegjësinë”, – sqaron mjeku.
“Është thjeshtë për të informuar lojtarët për situatën rreth epidemisë, nevojën për të bërë testet, protokollet dhe pasi nuk janë të izoluar në shtëpi dhe po ekspozohen në kontakt me njerëz tjerë, ka një dozë rreziku”, – ka thënë Ramosi. Po ka ende shumë rezistencë ndaj rifillimit të futbollit në Spanjë. Lojtarët kanë qenë në mesin e atyre që kanë kundërshtuar testimin derisa shumë punëtorë shëndetësor nuk kanë mundësi të testohen. Liga Spanjolle ka sjellë teste nga një kompani private gjermane dhe po pret lejen e Ministrisë së Shëndetësisë në Spanjë për t’u përdorur ato. “Unë jam mjek dhe kolegët e mi po punojnë në vijën e frontit”, – ka thënë Ramosi.
“Unë e kuptoj se ka kritika për këtë”, – ka përfunduar presidenti i Shoqatës së Mjekëve të Futbollit në Spanjës.