AlbanianSport.com 22/02/2022 21:40
ASNN – Kampionati i Futbollit Amator 5 kundër 5 ka mbyllur një tjetër javë në 5 qytetet ku luhet futboll, Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan e Cërrik. Në kryeqytet, futbolli luhet në 6 zona. Në grupin e parë, ATS ruan kryesimin, ndërsa ndeshja më pikante e kësaj jave ka qenë ajo mes Dok Team – Digi Print, që përfundoi me shifrat 9-7 dhe përveç golave të realizuar, ka krijuar edhe lojë mjaft interesante.
Tirana 5×5 vijon të jetë në krye të renditjes, me 42 pikë, teksa në këtë javë ka shkatërruar me shifrat 10-2 skuadrën e Kostricanit. Me po të njëjtin ritëm vijojnë edhe Çermenika në grupin e 3-të e Sony A.D në grupin e 4-t, që kanë marrë triumfet e radhës edhe në këtë javë, pasi mposhtën në grupet përkatëse Titanët dhe Galaktikët.
Çermenika mori një fitore të thellë ndaj 12-5 ndaj Titanëve, Sony A.D mundi skuadrën e Illyrian me shifrat 9-1. Kjo javë ka rezervuar ndeshje mjaft interesante në grupin e 5-të, me }amërinë që u rikthye te fitorja pasi mundi me rezultatin 5-3 Vila L, ndërsa Beautiful Albania fitoi ndaj ekipit të Vivi La Vita, duke u barazuar kështu me pikë, secila nga 26, ndërsa janë vetëm një pikë larg vendit të parë që mbahet nga Çamëria.
Ndërkaq, në grupin e 6-të të Tiranës, kampionati është mjaft i fortë, me dy skuadra që po luftojnë për vendin e parë e që janë në kuotë të barabartë pikësh, Kalçeto Ademi e Prestige MFC, me nga 39 pikë, e që edhe këtë javë morën nga një tjetër 3-pikësh. Në Durrës e Elbasan vijon të luhet normalisht futboll 5×5, me kampionatin që tashmë ka hyrë në zonën e nxehtë edhe në këto qytete.
Në Durrës, kampionati ashtu sikurse dihet, është i ndarë në dy grupe, me FJT Auto që renditet i pari në grupin A dhe Sallmani SC në grupin B. Ndërkaq, AMG Studio kryeson kampionatin në Elbasan. Në Shkodër, Air Albania ruan pozitat e kryesueses, ndërsa në Cërrik, MFC Genusi vijon të jetë në krye të tabelës.