AlbanianSport.com 28/02/2022 17:10
ASNN – Kampionati i futbollit amator, i njohur ndryshe si “FSHF Sunday League” që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) sa vjen e bëhet më interesant, teksa i është afruar tashmë zonës së nxehtë. I organizuar në dy grupe në Tiranë, ndeshjet që luhen çdo javë, tërheqin edhe mjaft sportdashës.
Sa i përket grupit A, edhe këtë javë nuk ka surpriza nga kryesuesit e grupit, që kanë vijuar me rezultate pozitive. “Nova” ka fituar thellë me shifrat 8-2 ndaj Barrikadës, teksa nga ana tjetër, “Roameli” i është përgjigjur me një triumph 5-3 ndaj “Eco Empire”.
Me “manita” kanë fituar edhe dy ekipet që renditen në vendin e tretë e të katërt, “Primo MFC”, që ka mposhtur “FB Passion” e “Al Ar”, që ka mundur skuadrën e “Elsos”. Ndërkaq, edhe në grupin B, Dajti vijon të kryesojë renditjen, teksa në këtë javë mori një tjetër fitore në fushë të huaj ndaj skuadrës së Antigoneas.
Edhe “Prestige MFC” ka marrë një tjetër 3-pikësh ndaj “Jata Market”, ndërsa renditet në vendin e dytë, me 3 pikë më pak se Dajti i vendit të parë. Kampionatit të futbollit amator 9 kundër 9 i kanë mbetur edhe tre javë nga finalizimi, teksa do të vijojë më tej me fazën e “play-off”-eve.