AlbanianSport.com 16/01/2019 23:35
ASNN – Juventusi fiton Superkupën, Ronaldo e nis me trofe, Milani “helm” ndaj gjyqtarëve. Ishte apo nuk ishte i rregullt goli, pse nuk u dha 11-metërshi për Milanin, si dhe mjaft episode të tjera të dyshimta në vendimin e gjyqtarëve të ndeshjes, do të vijojnë të dominojnë komentet e pasndeshjes midis Juventusit dhe Milanit, që diskutuan të mërkurën në mbrëmje trofeun e Superkupës së Italisë, një trofe që shkoi për “Zonjën e Vjetër”.
Ndeshja e luajtur në Xhedah të Arabisë Saudite, në një stadium që mban emrin e mbretit Abdullah të vendit islamik, nën madhështinë e pjesëmarrjes dhe një emocioni që përshkoi botën futbolldashëse, nuk i zhgënjeu të pranishmit dhe as teleshikuesit, pasi kishte spektakël, emocione, ritëm, rivalitet e, në fund edhe dhënia e trofeut. Një ndeshje që u mbyll me mjaft tension, duke e shtuar mjaft adrenalinën e një derbi italian, por këtë herë e luajtur në një stadium në shketëtirë dhe në zemër të botës arabe e myslimane.
Fitoi sërish Juventusi, për herë të 8-të në historinë e tij këtë trofe, pasi mundi Milanin 1-0 me golin e shënuar nga Kristiano Ronaldo në minutën e 61-të. Portugezi ia doli të shënojë në këtë finale të madhe, duke qenë përcaktues, teksa e nis me trofe aventurën e tij bardhezi në futbollin italian. Ishte pikërisht meritë e Ronaldos që Juventusi e fitoi këtë ndeshje, ndërkohë që debati për vendimet e dyshimta të gjyqtarisë do të jenë kryetemë jo vetëm në rrjetet sociale, por ndoshta dhe në komisionet disiplinore të federatës italiane.