AlbanianSport.com 25.02.2015 07:55
ASNN – Janë luajtur të martën në mbrëmje dy ndeshjet e para të dy çifteve të tjera të turit të 16-shes së Ligës së Kampioneve dhe Barcelona ka fituar 2-1 në Angli ndaj vendasve të Mançester Sitit. Në duelin tjetër të mbrëmjes, Juventusi ka marrë një fitore me të njëjtat shifra në fushën e vet ndaj Borusias së Dortmundit. Sonte luhen ndeshjet e para të dy çifteve të fundit, Arsenal-Monako dhe Bajer Leverkusen-Atletiko e Madridit.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, vazhdon me duelet e turit të 16-shes dhe të martën në mbrëmje janë luajtur takimet e para të dy çifteve të tjera. Në atë që ishte përballja e parë midis këtyre dy skuadrave që nga ajo finale epike e 1997-s, Juventusi ka fituar në Torino ndaj Borusias së Dortmundit, duke marrë një fitore 2-1 në fushën e vet.
Ky është një rezultat që sidoqoftë e lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në Gjermani përsa i përket kualifikimit. Italianët kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e 13-të, me anë të Tevezit, gol që erdhi edhe falë një gabimi të portierit gjerman. Por një gabim i Kielinit në krahun tjetër u jep mundësi gjermanëve të barazojnë vetëm 5 minuta më pas. Siqodoftë, fitorja e Juventusit do të firmoset nga Morata dy minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Ndërkaq, në duelin tjetër të mbrëmjes, Barcelona ka dominuar si mysafire në Angli, ku Luis Suarez shënoi dy herë brenda gjysmëorës së parë ndaj Mançester Sitit. Anglezët gjetën një gol në pjesën e dytë, me anë të Aguerros, ndërsa Lionel Mesi humbi në fund edhe një 11-metërsh për katalanët, që sidoqoftë, shkojnë në ndeshjen e kthimit si favoritë për t’u kualifikuar.