AlbanianSport.com 07/12/2018 22:55
ASNN – Në kuadër të javës së 15-të të kampionatit italian, Serise A, u luajt të premten në mbrëmje kryendeshja Juventus-Inter, e cila rezultoi spektakolare në të gjithë dimensionin e saj, me sulme e kundërsulme nga të dyja skuadrat dhe njëherësh një “vritrinë” e futbollit italian në rang europian. Ishte një duel mjaft i fortë, i luftuar në çdo cep të fushës, me veprime taktike mbresëlënëse, konkurrues deri në detajet më të imta.
Por në fund diferencën e bëri “Zonja e Vjetër”, e cila ia doli të dalë më tri pikë dhe nga kjo përballje e radhës, duke marshuar në kryesimine Serisë A, e pashqetësuar nga ndjekësit. Madje kjo fitore e Juves mund të quhet “vrasje” e garës, sepse Juventusi shkoi në 43 pikë, 11 pikë më shumë se Napoli i vendit të dytë dhe 14 pikë më shumë se Inter që mbeti në vend të 3-të.
Diferenca të tilla në pikaverazh tregojnë qartë se Juventusi është një skuadër e pandalshme këtë edicion drejt “Scudeto”-s. Sa i takon ndeshjes, ajo ishte pothuajse e ekuilibruar në të dyja pjesët, por diferenca erdhi në minutën e 66-të, kur pas një kundërsulmi të bardhezinjve, topi u krosua nga e majta prej Kancelos dhe nga brenda zonës, pranë shtyllës së dytë, kroati Mario Manxhukiç realizoi me kokë.
Një gol që rezultoi vendimtar për fatet e ndeshjes. 1-0 dhe kaq i mjaftoi skuadrës së trajnerit Masimiliano Alegri të dalë me tri pikë nga stadium i saj, ndërsa zikaltrit nuk ia dolën ta frenonin as këtë herë Juven që po bën “ligjin” prej kaq vitesh në kampionatin italian.