AlbanianSport.com 25/10/2018 19:25
ASNN – Liverpuli mundi Crvena Zvezdën me shifrat 4-0 dhe siguroi një trepikësh që e ngjiti në krye të grupit C të Ligës së Kampioneve, me 6 pikë, duke lënë pas Napolin, me 5 pikë, dhe Paris SG-në, me 4 pikë, si dhe vetë skuadrën serbe në fund, me 1 pikë të vetme.
Në këtë ndeshje shkëlqeu i gjithi shqiptari Xherdan Shaqiri, i cili dha pasime të shumta dhe bëri një lojë të mrekullueshme, gjë që e vuri në pah edhe vetë trajneri Jurgen Klop. “Ishte një ndeshje vërtet e mirë nga ana jonë dhe unë e shijova shumë, një ndeshje e bukur dhe një fitore e merituar”, – tha gjermani i stolit të gjigandes së futbollit anglez dhe evropian.
“Fabinjo i bëri gjërat si duhet që nga minuta e parë, kurse Shaqiri u përfshi në gjithçka në këtë takim, – vijoi Klopi. – Ai është me të vërtetë një futbollist i mirë dhe ndihmoi skuadrën. Mendoj se luajti perfekt. Gati i mundi kundërshtarët i vetëm.” Në këtë grup, shanset e Liverpulit për të kaluar në raundin tjetër janë rritur shumë.
Kjo pasi skuadra angleze cilësohet favorite për ta fituar edhe duelin e kthimit me serbët, që luhet pas dy javësh në Beograd, para se të vijnë duelet e mëdhenj me Napolin dhe PSG-në në ndeshjet e fundit të grupit. Megjithatë, mbetet për t’u parë sesi do të zgjidhet aktivizimi i Shaqirit në Beograd.
Futbollisti nga Kosova krijoi një stuhi mbarëkombëtare, kur, pas festimit të golit të fitores 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë në Botërorin “Rusi 2018”, bëri me duar simbolin e shqiponjës kuqezi. Gjesti i tij dhe futbollistëve të tjerë shqiptarë të përfaqësueses helvete u gjobit nga FIFA, por në Serbi reagimi ishte shumë i ashpër.