AlbanianSport.com 24/01/2024 16:50
ASNN – Laçi-Dinamo 1-0, flasin dy trajnerët. Josa e hedh menjëherë vështrimin tek kampionati, Mehmeti “vajton” gjykimin. Pas sfidës së vlefshme për turin e 16-shes së Kupës së Shqipërisë, midis Laçit dhe Dinamos, kanë folur edhe dy trajnerët, Mirel Josa dhe Dritan Mehmeti. Jam i kënaqur për solidaritetin për dëshirën që kishte qoftë edhe për vazhdimësinë, – ka thënë Josa. – Më pëlqeu mënyra se si kontrolluan kundërshtarin pavarësisht se pjesën e dytë ndryshoi lojën.”
“Në pjesën e dytë doli me Kaçorrin përpara, nëse s’do kishim shënuar pjesën e parë do të ishte e vështirë për të shënuar në të dytën, – ka vijuar ai. – Të gjithë në rolet e tyre ishin rigorozë, kishim përballë një skuadër si Dinamo që di ta luajë topin që na ka mundur në dy ndeshjet e kampionatit. Sot për mua merr vlerë ndeshja e Partizanit, pasi të dielën kemi një ndeshje të rëndësishme me Teutën. Skuadra ka lojtarë të rinj, duhet të jemi të ndërgjegjshëm deri ku mund të shkojmë.
“Kemi bërë ndeshje të mira por dhe të dobëta, duhet të ruajmë ritmin, gabimet që shfaqen mos të përsëriten në ndeshjen e ardhshme”, – ka përfunduar kreu i skuadrës kurbinase. Ndërkaq, Dinamo u eliminua nga Kupa e Shqipërisë pas humbjes me Laçin dhe rruga drejt Evropës tani bëhet më e vështirë dhe trajneri i bluve, Dritan Mehmeti u shpreh tepër i zhgënjyer për rezultatin dhe gjithashtu kishte dyshimet e tij për dy rastet për 11-metërsh.
“Normalisht, sa i përket mënyrës si e interpretuam ndeshjen sot, ndikuan dy faktorë, – ka thënë ai pas ndeshjes. – Pretendimet tona për 11-metërsh, sepse në ato momente mund të ndryshonim rrjedhën e lojës tonë. Kush shënon i pari afrohet me kualifikimin. Të dyja rastet për mua ishin 11-metrësha, por nuk duhet të ankohemi për gjykimin. Duhet të ishim më shumë agresivë për atë që dhamë në fushë. Vuajmë shumë, duke pasur parasysh se në linjat e mesfushës na duhen lojtarë që marrin përsipër.”
“Normalisht që këto ndikojnë në normalizimin e veprimeve të skuadrës. Duke pasur se Laçi ka një skuadër të organizuar mirë në mesfushë, aty nuk ditëm të reagonim. Por duhet të kesh dhe mentalitet ftuesi, jo vetëm aspekti taktik, por edhe të luftonim për të marrë fitoren. Normalisht, ishte rruga më e vështirë, por më e shkurtër për Evropën. Më vjen keq për këtë. Por duhet të mendojmë për kampionatin dhe te ndeshja e radhës me Kukësin”, – ka përfunduar trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.