AlbanianSport.com 29/05/2020 19:25
ASNN – Me hapa të ngadaltë, por të sigurt, futbolli anglez po rikthehet. Premier Liga rikthehet më 17 qershor, ndërkohë që tashmë janë zbuluar edhe datat për Kupën e Anglisë, të njohur ndryshe si “FA Cup”. Ajo rikthehet më 27 qershor, teksa atë ditë dhe një ditë më pas, më 28 qershor, do të luhen takimet çerekfinale.
Mësohet se gjysmëfinalet janë programuar të zhvillohen me 11 dhe 12 korrik 2020, kurse finalja me 1 gusht 2020. “Jemi të kënaqur të biem dakord për datat e përkohshme për rifillimin e “FA Cup 2019-2020”, – u shpreh mes të tjerash Mark Bullinghemi, kreu ekzekutiv i kësaj veprimtarie.
“Konkurrenca ka qenë pjesë integrale e futbolli anglez për gati 150 vite dhe do dëshironim të falënderonim klubet e Premier Ligës për mbështetjen e tyre në caktimin e datave për ndeshjet e mbetura në një periudhë të paprecedentë, – vijoi ai. – Ka qenë një periudhë e vështirë për shumë njerëz dhe ky është një hap pozitiv.”
“Shëndeti dhe mirëqenia e lojtarëve, stafit dhe mbështetësve mbetet përparësia jonë”, përfundoi Bullinghemi. Sa u takon çifteve që do të përballen në çerekfinale, ato janë: Leister Siti-Çellsi, Njukasëll Junajtid-Mançester Siti, Shefilld Junajtid-Arsenal dhe Noruiç-Mançester Junajtid.