AlbanianSport.com 17/09/2019 19:25
ASNN – Temperaturat e larta përbëjnë rrezikun më të madh për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Autoritetet vendore kanë vendosur të rrisin taksat për banorët, në mënyrë që të ketë të gatshëm të gjitha ekipet mjekësore gjatë ditëve të Olimpiadës. Mjekët japin disa këshilla për të gjithë ata që do të jenë në Tokio, për të përballuar temperaturat e larta. Autoriteti i lartë mjekësor i Japonisë ka paralajmëruar se temperaturat e larta, mbetën “rreziku më i madh” për Lojërat Olimpike të vitit 2020 në Tokio.
Kjo mund të detyrojë autoritetet vendore, që familjet e Tokios të paguajnë një taksë shtesë për shëndetësinë, në mënyrë që shërbimet mjekësore të kryejnë veprime shtesë në periudhën e Olimpiadës. Kimijuki Nagashima, anëtar i bordit ekzekutiv të Shoqatës Mjekësore Japoneze ka shprehur shqetësimin për këtë gjë duke u shprehur: “Që në fillim, ne e kemi parë goditjen e nxehtësisë si faktorin më të madh të rrezikut për Lojërat Olimpike në Tokio 2020 përsa i përket shëndetit”
“Nxehtësia e Japonisë nuk ka të bëjë vetëm me temperaturën e lartë, – ka vijuar ai. -Lagështia është jashtëzakonisht e lartë, kështu që njerëzit nuk djersisin aq sa duhet. Kjo nënkupton një rrezik më të lartë për t’u sëmurë sesa në vendet e tjera.” Nagashima ka këshilluar që njerëzit gjatë qëndrimit në Tokio të pinë shumë ujë. Të gjithë duhet të kenë shishe me ujë me vete, të mos qëndrojnë në diell, por në hije sa herë të kenë mundësi dhe të pushojnë.
Gjithashtu duhet të vishen me gjëra të lehta. “Mendimi im personal si individ është se ngjarjet sportive duhet të mbahen në një mjedis të rehatshëm. Unë nuk mendoj se është e pranueshme që ato të mbahen në një periudhë të papërshtatshme e në një vend të papërshtatshëm, vetëm për shkak të përfitimeve ekonomike. E nëse do të bëhen këto veprimtari madhore sportive, atëherë duhen marrë masa maksimale kundër rreziqeve shëndetësore”, – përfundoi Nagashima.