AlbanianSport.com 17/10/2018 19:50
ASNN – Të rralla janë sportistet që do të arrijnë nivelin e Jelena Isinbajevës, rekordmenes së atletikës ruse dhe asaj botërore në kërcimin me shkop. Për shumë vite me radhë, midis 2003-2015, pra për mbi një dekadë, rusja e bukur Jelena Isinbajeva dominoi këtë sport, duke regjistruar rekorde të pabesueshme. Madje ajo është mbajtësja e rekordit botëror në kërcimin me shkop për femra në salla të hapura me 5.06 metër, regjistruar në Zyrih në vitin 2009.
E lindur më 3 qershor 1982 në ish-Stalingrad në Ish-Bashkimin Sovjetik, sot Vollgograd të Rusisë, Jelena Gadzhievna Isinbajeva ka përshkuar një karrierë fantastike sportive. Ka fituar dy herë medaljen e artë olimpike, në Athinë, në 2004-ën dhe në Pekin në 2008-ën. Isinbajeva ka fituar 3 herë titullin botëror në vitet 2005, 2007 dhe 2013. Konsiderohet si një prej sportistve më të mira të të gjitha kohërave. Ajo u ndalua të merrte pjesë në Olimpiadën e vitit 2016 në Rio de Zhaneiro, në Brazil.
Kjo për shkak të sanksioneve që Federata Botërore e Atletikës (IAAF), vendosi kundër Rusisë mbi sponsorizimin e një programi të avancuar të dopingut. Më pas, në gusht të vitit 2016, pas një karriere të pabesueshme atletike, Isinbajeva u tërhoq nga sporti aktiv dhe u zgjodh në një mandat 8-vjeçar në Komisionin e Atletëve në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Ajo ishte gjithashtu fituese e çmimit të serialit të Ligës së Artë IAAF në vitin 2007 dhe 2009.
Pas paraqitjeve të dobëta në kampionatet botërore në 2009 dhe 2010, ajo mori një pushim njëvjeçar nga sporti. Isinbajeva u bë femra e parë që kaloi pengesën prej pesë metrash në vitin 2005. Rekordi i saj aktual botëror në kërcimin me shkop është 5.06 m në salla të hapura, i vendosur në Zyrih, në gusht të 2009-ës. Kurse në sallat e mbyllura (indoor), ajo ka shënuar rezultatin 5 metra e 1 cm.
Më 2 mars 2013, Xhen Suhr iu bashkua Isinbajevës si dy femrat e vetme që kanë kaluar 5 metrat. Në këtë proces, Suhr i mori asaj edhe rekordin botëror të sallave të mbyllura. Isinbajeva u shpall “Atletja Femër e Vitit” nga IAAF-i në vitet 2004, 2005 dhe 2008, si dhe “Sportiste Botërore e Vitit” nga Çmimet “Laureus” në 2007-ën dhe 2009-ën. Në vitin 2007, ajo hyri në “Hall of Fame” (FICTS) dhe u nderua me Çmimin “Excellence Guirlande D’Honneur “.
Në disiplinat e atletikës, Jelena Isinbajeve radhitet krahas emrave më të mëdhenj të saj.