AlbanianSport.com 19.09.2015 15:35
ASNN – Me plot gojën, java e katërt e Kategorisë Superiore mund të cilësohet si java e sfidave të rëndësishme. Partizani-Kukësi dhe Skënderbeu-Tirana janë përballjet që kanë vëmendjen më të madhe për këtë tur të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Sonte do të luhet sfida mes Partizanit dhe Kukësit, me skuadrat që vijnë në këtë sfidë me synimin për ta fituar atë. Pas 3 javëve të para, skuadra e “të kuqve” ka grumbulluar 7 pikë, ndërkohë që Kukësi ka 1 më pak duke lënë të kuptohet se kjo ndeshje do të jetë vërtetë e fortë.
Po sot do të luhet edhe ndeshja mes Teutës dhe Tërbunit. Durrsakët do të kërkojnë të harrojnë menjëherë humbjen e pësuar nga Kukësi në javën e tretë dhe ndaj skuadrës pukjane do të kërkojë të marrë maksimumin. Ditën e diel do të luhen 2 ndeshje të tjera të javës së 4-t të Kategorisë Superiore.
Flamurtari do të luajë ndaj Vllaznisë dhe skuadra vlonjate ka vetëm 1 pikë në 3 ndeshje dhe përballë publikut të saj do të synojë të marrë fitoren e parë në kampionat. Por, nga ana tjetër, Vllaznia nuk ka marrë as edhe një pikë të vetme në këto 3 javë të para dhe pritet të luftojë fort për të nisur ngjitjen.
Sfida tjetër e kësaj dite është ajo mes Laçit dhe Bylisit. Për sa i përket supersfidës tjetër të kësaj jave në Kategorinë Superiore, duelit Skënderbeu-Tirana, ai do të luhet ditën e hënë, për shkak të impenjimit të skuadrës korçare në mesjavë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.