AlbanianSport.com 21/02/2019 07:55
ASNN – Java e 23-të e Kategorisë Superiore do të nisë të premten me një kryendeshje të kësaj faze, atë midis Skënderbeut dhe Tiranës, dy emrave të mëdhenj të futbollit shqiptar, por që këtë edicion kanë problemet e tyre. Natyrisht, për Skënderbeun që luan në fushën e tij kërkohet maksimumi, nisur dhe nga problemet e shfaqura në 8 javët e fundit, ku kanë humbur shtatë takime dhe fituar vetëm një. “Ujqërit” duan të lënë pas këtë situatë dhe një fitore me Tiranën do t’i ndihmonte të kapërcenin ngërçin e krijuar dhe të prisnin qetësisht duelet e ardhshme.
Sa i takon Tiranës, bardheblutë ndihen më të motivuar, nuk kanë presione gjykatash dhe objektivash trofeu, pasi objektivi i vetëm është qëndrimi në kategori. Edhe nëse kanë ambicie për trofe, bardheblutë i kanë këto pretendime në Kupën e Shqipërisë. Java e 23-të e Superiores do të vijojë të shtunën me dy ndeshje, ajo mes Luftëtarit dhe Teutës si dhe Partizani-Flamurtari. Janë dy duele mjaft interesante, pasi në Gjirokastër do të provohet forca e vërtetë e skuadrës durrsake dhe aftësisë së saj për të marrë maksimumin jashtë fushës së saj.
Por edhe ajo e Luftëtarit për të mbajtur qëndrueshmërinë e rezultateve pozitive të javëve të fundit. Ndërkohë, të kuqtë e trajnerit Skënder Gega do të kenë përballë Flamurtarin, një skuadër që është prekur nga eksodi prej më shumë se një muaji dhe i kanë ikur të gjithë lojtarët titullarë, duke e lënë trajnerin Ilir Daja vetëm me të rinjtë e akademisë së klubit vlonjat. Të dyja ekipet kanë nevojë për pikë, por Partizani shihet favorit, sepse luan në kryeqytet dhe nuk i lejohet të bëjë një tjetër hap fals pas disfatës së Kurbinit ndaj Laçit.
Të dielën java e 23-të do të vazhdojë me duele të tjera, Kastrioti-Laçi dhe Kukësi-Kamza. Në duelin e parë krutanët shihen favoritë për shkak të fushës, por në realitet ndeshja do të luhet në Durrës, kështu që epërsia shkon në krahun tjetër, atë të kurbinasve. Për të dyja skuadrat është një test i fortë, sepse Kastrioti ka bërë çudira javët e fundit dhe shpreson që kjo “ëndërr” të vazhdojë dhe më tej, kurse Laçi është ekip i konsoliduar dhe është i aftë të fitojë edhe ndaj rivalëve më të fortë.
Padyshim, edhe ndeshja mes Kukësit dhe Kamzës, e cila do të luhet të dielën në Kamzë, është një moment vendimtar për të dyja skuadra. Kukësi s’ka rrugë tjetër veç fitores, por e njëjta gjë vlen dhe për Kamzën që ndodhet në vend të fundit dhe këtë herë zbret në fushë nën urdhrat e trajnerit të ri, Gentian Stojku. Do të jetë një ndeshje emocionuese dhe ku fituesi është i paparashikuar.
Kategoria Superiore
Java e 23-të
Të premten, 22 shkurt 2019:
Skënderbeu – Tirana (18:00)
Të shtunën, 23 shkurt 2019:
Luftëtari – Teuta (14:00)
Partizani – Flamurtari (17:00)
Të dielën, 24 shkurt 2019:
Kastrioti – Laçi (14:00)
Kukësi – Kamza (14:00)