AlbanianSport.com 06.02.2017 16:10
ASNN – Sikundër ishte njoftuar edhe më herët nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila zyrtarizoi kalendarin futbollistik të fundjavës për nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futboll, java e 21-të e Kategorisë Superiore është shpërndarë në 3 ditë.
Kështu, Partizani pretendent për titullin, do të zbresë në fushë të premten në Durrës, për t’u ndeshur me Teutën, në një 90-minutësh të vështirë, në stadiumin “Niko Dovana”, duke llogaritur që vendasit rrezikojnë mbijetesën. Të kuqtë janë aktualisht në vendin e dytë, me pikë të barabarta me Skënderbeun.
Por një sukses i mundshëm do ta ngushtonte edhe pse përkohësisht, distancën me kryesuesit e Kukësit. Ky i fundit do të jetë mysafir në Stadiumin “Selman Stërmasi” ndaj Tiranës, në ndeshjen që luhet të shtunën, duke nisur nga ora 17:00. Kjo ndeshje do të jetë një përsëritje e përballjes në Kupë, ku triumfuan kryeqytetasit.
Por, këtë herë, llogaritë janë ndryshe, pasi verilindorët kanë fokusin kryesor tek titulli. Po të shtunën, Skënderbeu do të ketë një përballje në shtëpi me Laçin, ndërsa Vllaznia do të presë Flamurtarin, të dy ndeshje që nisin në orën 14:00. Java e 21-të e ul siparin në Gjirokastër, ku Luftëtari pret Korabin.
Dy ekipe që pritej të luftonin për mbijetesë por që fatet sezonale i kanë hedhur në të tjera pozita, vendasit drejt Evropës dhe dibranët thuajse pa asnjë shpresë qëndrimi në Superiore. Kukësi kryeson me 43 pikë, i ndjekur nga Partizani dhe Skënderbeu, me nga 38 pikë secila, ndërsa Tirana e vendit të 4-t është plot 11 pikë prapa.