AlbanianSport.com 16/11/2018 23:00
ASNN – Tifozët e përfaqësueses skoceze kanë “pushtuar këtë të premte rrugët e Tiranës e të Shkodrës, ku binin në sy lehtë nga veshja e tyre karakteristike “Kilt”, një lloj fundi tradicional i burrave skocezë. Me këtë veshje ata u shfaqën me shumicë dhe në sheshin kryesor të Tiranës, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve kryeqytetas, por edhe duke organizuar lojëra futbolli.
Mbi të gjitha tifozët skocezë të grupimit “Tartan Army”, pranuan ftesën e “Tifozave Kuq e Zi” për një ndeshje miqësore midis tifozëve. Ndeshja mes dy tifozerive është luajtur dhe u mbyll më barazim 1-1, në një ndeshje ku nuk munguan as tifozët në tribunat e stadiumit. Në fakt, barazimi shpresohet të mos ndjellë të njëjtin rezultat edhe nesër në Shkodër, sepse kuqezinjtë dëshirojnë fitoren.
Sidoqoftë, fakti që skocezët hapën një llogari bankare me 5 mijë Paund si bamirësi për fëmijët në nevojë, dolën lirshëm shëtitje në Tiranë dhe u pëlqyen nga vendasit, por edhe qetësia e tyre, u mirëpritën nga tifozeria jonë kuqezi, e cila i mirëpret tifozë të tillë që nuk janë problematikë.