AlbanianSport.com 29.01.2015 13:55
ASNN – Talenti belg me origjinë kosovare, Adnan Januzaj, mund të përfundojë të luajënë Serinë A të Italisë. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, nga zërat e merkatos së janarit, mësohet se shqiptari që zgjodhi të luajë për Belgjikën mund të përfshihet në tratativën mes Mançester Junajtid dhe Fiorentinës, pikërisht për kolumbianin Huan Gijermo Kuadrado.
Por për momentin klubi italian është duke u rezistuar ofertave. Në fakt, mbështetja më e madhe për klubin “vjollcë” është te klauzola për prishjen e kontratës së organizatorit kolumbian, prej plot 35 milionë euro, po aq sa kërkohen prej “Djajve të kuq”. Kërkesat janë të shumta e ndër të tjera nga Çelsi, që ka arritur akordin me lojtarin, por jo me klubin, por edhe nga Atletiko e Madridit.
Megjithatë, së fundi në sulm është hedhur edhe Mançester Junajtid, që ofron 29 milionë euro dhe huazimin e Januzajt ndoshta deri në fund të sezonit. Edhe pse Fiorentina do të përpiqet të rezistojë deri në fund, për të siguruar thuajse të gjithë vlerën monetare të klauzolës, lojtari kolumbian duket se do t’i thotë lamtumirë Serisë A brenda javës së fundit të janarit dhe merkatos dimërore.