AlbanianSport.com 24/01/2024 21:25
ASNN – Kupa e Shqipërisë, përcaktohen 8 ekipet çerekfinaliste, zbuloni si ndahen vazot për shortin. Janë mbyllur ndeshjet e turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan edhe 8 skuadrat çerekfinaliste të këtij edicioni. Egnatia, Partizani, Tirana, Erzeni, Laçi, Kukësi, Teuta e Vllaznia janë tetë ekipet që do të vazhdojnë garën për të fituar trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Të gjitha ndeshjet u luajtën të mërkurën dhe kryesuesja e Kategorisë Superiore, Egnatia, triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Lushnjes, Partizani mundi 3-1 Apoloninë në një sfidë aspak të lehtë për të kuqtë, ndërsa Tirana nuk e vendosi aspak në dyshim kualifikimin pasi fitoi me rezultatin e thellë 3-0 ndaj Korabit. Në duelin mes dy skuadrave të Superiores Laçi-Dinamo, kaloi në çerekfinale skuadra kurbinase, që fitoi me rezultatin minimal 1-0.
Ndeshja Kukësi-AF Elbasani ishte e luftuar deri në minutat e fundit aty ku kuksianët siguruan biletën për në çerekfinale, pasi fituan 1-0, ndërsa në çerekfinale kaloi edhe skuadra e Erzenit, pasi shijakasit triumfuan 2-1 ndaj Bylisit. Në orën 17:00 u luajtën edhe dy ndeshjet e tjera të turit të 16-shes, aty ku Vllaznia nuk e vendosi aspak në diskutim kualifikimin, pasi triumfoi 4-0 ndaj Flamurtarit.
Në sfidën tjetër, Teuta siguroi një biletë për në çerekfinale pasi mundi Skënderbeun 2-0. Ndërkaq, për përcaktimin e çifteve çerekfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet 8 ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Partizani, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia janë të pozicionuara në vazon e parë ndërsa Laçi, Teuta, Kukësi dhe Erzeni ndodhen në vazon e dytë.
Ndryshe nga formula e deritanishme, ku gjithçka ishte vendosur me një takim të vetëm, ndeshjet tani e tutje do të luhen me sistem vajtje-ardhje, me dy takime dhe sfidat e para do të zhvillohen në fushën e ekipeve të pozicionuara në vazon e dytë. Në ditët në vazhdim do të bëhet e ditur se kur do të hidhet shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.