Gjergj Vyshka 24.02.2015 14:20
Më 19 shkurt, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza,i është drejtuar me një e-mail në mbrëmjen e vonë Federatës Evropiane të Peshëngritjes, atje ku ka kërkuar regjistrimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian të Të Rriturve në Tbilisi. Ja dhe teksti i “e-mail”-it të presidentit Gjoza për Federatën Evropiane të Peshëngritjes: “Të nderuar kolegë! Më lejoni t’ju informoj me shumë mirësjellje se Sekretari i Ri i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes është Agron Haxhihyseni (Mjeshtër i Evropës në sport).”
“Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes është Elez Gjoza, – vijon shkresa. – Si kombëtare e Shqipërisë do të marrim pjesë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes dhe ju kërkoj që të na dërgoni fjalëkalimin dhe emrin e përdoruesit për Federatën tonë për të bërë regjistrimin fillestar në faqen e Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Delegacioni shqiptar do të jetë i përbërë nga Elez Gjoza (Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes), Agron Haxhihyseni (Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes), Zef Kovaçi (trajner), Shqiponja Brahja (peshëngritëse pesha 48 kg, 190 kg në dygarësh), Erkand Qerimaj (peshëngritës pesha 77 kg, 352 kg në dygarësh) dhe Sopot Sula (peshëngritës pesha 94 kg, 340 kg në dygarësh).”
“Përtej bisedës telefonike që kemi bërë bashkë do t’ju kërkoja edhe një herë të na dërgonit emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin për të hyrë në faqen e Federatës Evropiane të Peshëngritjes”, – përfundon mesazhi elektronik i dërguar nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për homologët e tyre kontinentalë të shtangës.