AlbanianSport.com 09.09.2015 07:05
ASNN – Ka jehonë mediatike edhe në humbje. Përballja Shqipëri-Portugali, fituar nga miqtë, është pasqyruar gjerësisht në gazetat kryesore evropiane. Gazeta portugeze “A Bola” thekson se goli i Velosos bën që kualifikimi të jetë vetëm 1 pikë larg. “A Bola” sjell fjalët e trajnerit Santos që është i sigurt se me këtë lojë, Portugalia është e vështirë të ndalet, ndërsa Danilo thotë se goli në fund është më emocionues.
Gazeta tjetër portugeze, “O Zhogo” gëzohet që ekipi I vet është pranë, shumë pranë Euro 2016-tës. Ajo sjell edhe fjalët e trajnerit Santos që justifikon mungesën e golit të Ronaldos: Luajti duke pasur dhimbje. “La Gazzeta dello Sport” nga Italia i jep hapësirën kryesore Gjermanisë dhe Polonisë, por nuk harron të theksojë se Portugalia i afrohet finaleve, duke vënë në vështirësi Shqipërinë e De Biazit.
Në Spanjë, shumë hapësirë për ekipin e Kristiano Ronaldos. “Marka” shkruan se Veloso qartësoi horizontin e Portugalisë, ndërsa veçon shtyllën e goditur nga Ronaldo me portë bosh. Gazeta “AS” mendon se Veloso e futi Portugalinë me një këmbë e gjysmë në Evropian. Edhe “AS” veçoi një moment të Ronaldos, kur ai humbi këpucën i ndaluar nga Cana.
Gazeta “Sport” e Barcelonës nënvizon se Portugalia e Ronaldos fitoi në Shqipëri në minutën e fundit dhe iu afrua finaleve. Së fundi, “L’Ekip” e Francës: “Portugalia arriti fitore të vogël me Shqipërinë, por tashmë i mjafton një pikë në dy ndeshje”.