AlbanianSport.com 04.09.2015 18:05
ASNN – Transmetimet sportive nuk janë ndalur mbrëmë me ndeshjen e Shpresave, pasi Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit edhe njërin prej dueleve më të rëndësishëm të mbrëmjes, atë midis Holandës dhe Islandës. Kjo ndeshje, që u luajt duke nisur nga ora 20:45, vuri përballë dy prej pretendenteve të grupit A të Eliminatoreve të Evropianit 2016.
Skuadra vendase është goditur dy herë brenda 3 minutash pas një gjysmë ore lojë, pasi Arjen Roben ka dalë nga loja i dëmtuar, ndërsa Martins Indi është ndëshkuar me karton të kuq. Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa fati i ndeshjes është vendosur në minutën e 51-të, kur Sigurdsoni tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe përshëndet rrjetën e portës holandeze.
Islandezët kryesojnë renditjen me 18 pikë, pas 6 fitoreve dhe një humbjeje në 6 ndeshjet e para, të ndjekur nga Republika Çeke, që mban vendin e dytë, me 16 pikë. Holanda mbetet në vendin e tretë me 10 pikë. Kjo ndeshje ngriti gjithashtu siparin edhe të një jave të mbushur me futboll në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që do të sjellë, përveç dy ndeshjeve të rëndësishme të Kombëtares, ndaj Danimarkës dhe Portugalisë, edhe nga një ndeshje tjetër çdo mbrëmje.