AlbanianSport.com 31/10/2018 09:45
ASNN – Jusein Bolt është fenomenal në atletikë dhe rekordet e tij në sprintin e 100 dhe 200 metrave ka gjasa të mbeten për një kohë të gjatë, sepse rrallë do të dalin në botë atletë të këtij kalibri. Por edhe pse është fenomenal në garat e shpejtësisë, Bolt nuk mund të jetë i tillë në çdo lloj sporti dhe përpjekja e tij për të qenë futbollist profesionist duket se do të dështojë, pasi deri tani ai nuk ka mundur të bëjë diferencë, pavarësisht përpjekjeve të mëdha fizike.
Edhe në radhët e klubit të Sentrëll Kost Meriners në kampionatin australian janë të këtij mendimi. Madje australianët janë befasuar krejtësisht kur Bolt kërkoi një kontratë me pagë afro 2 milionë Euro në sezon, ndërkohë që klubi vetë i kishte ofruar deri në 200 mijë dollarë. Kjo kërkesë për pagë dhjetëfish më të lartë është parë e papranueshme nga bordi i klubit. Ndërkohë, ish-sulmuesi i Irlandës, që tani luan në Australi, Andi Këog, është shprehur për mediat australiane se Bolti nuk ka cilësi teknike për të qenë lojtar profesionist.
“Të flasim hapur, – tha Këogu për mediat, – ai nuk ka cilësi për këtë punë. Është njeri i mirë, padyshim, një atlet i madh dhe një shok shumë i mirë, por më lejoni t’ju them se ai nuk di të stopojë as topin. Nëse ai firmos kontratë si profesionist, do të ishte një grusht dhëmbëve për të gjithë ata që derdhin djersë me meritë në këtë profesion. Bolti nuk është për këtë punë, ai nuk mund të manovrojë me topin, është e pamundur ta bëjë këtë.”