AlbanianSport.com 10/12/2018 21:10
ASNN – Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka deklaruar se është ende shumë herët për të shqyrtuar përfshirjen e sporteve elektronike, të njohura shkurt si “e-sportet” (“e-sports”), në programin e Lojërave Olimpike. Organizmi që qeveris lëvizjen olimpike botërore, ka pohuar se “aktiviteti fizik që garimi konkurrues në këto lojëra elektronike është i krahasueshëm me atë që kërkohet në sportet tradicionale”.
Sidoqoftë, IOC-ja ka theksuar se studime të mëtejshme nevojiten përpara se të përdoret fjala “sport” për të përshkruar lojërat apo sportet elektronike. Drejtuesit e IOC-së do të takohen në Lozanë të Zvicrës për të debatuar për të “ardhmen e Lëvizjes Olimpike”. Në prill, organizatorët e Olimpiadës së 2024-ës në Paris, deklaruan që ishin në “bisedime të avancuara” për përfshirjen e “e-sport”-eve si një disiplinë demonstrative sportive në Lojërat OIimpike të pas 6 viteve.
Në shtator të këtij viti, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, pati deklaruar “se disa nga këto lojëra elektronike nuk përputhen me vlerat Olimpike”. Në anën tjetër, “E-sportet” do të jetë një disiplinë sportive më vete në Lojërat Aziatike të 2022-shit, që janë një olimpiadë kontinentale tradicionale, ndërkohë që edhe Premier Liga, UEFA dhe Formula 1 janë disa nga organizmat sportivë që kanë ngritur ligat e tyre të lojërave elektronike.
Parashikohet se deri në 2020-ën, parashikohet që, në nivel global, “e-sportet” do të sjellin të ardhura që kapin vlerën e 1 miliardë stërlinave.