AlbanianSport.com 04.11.2016 09:45
ASNN – Interi është shumë pranë largimit nga Liga e Evropës. Humbja e fundit, 1-2 përballë Sauthemptonit, e pozicionon skuadrën italiane në vend të fundit të grupit K me 3 pikë. Tashmë për të kaluar turin, Interit i duhet një mrekulli, pasi i duhet të fitojë dy ndeshjet e fundit në grup. Kështu, Interi është mundur 2-1 nga Sauthempton në ndeshjen e vlefshme për grupin K.
Sfidë kjo që u transmetua drejtpërdrejt nga Televizioni Shqiptar. Të drejtuar nga Stefano Veki, zikaltërit e nisin mirë takimin duke kaluar në epërsi me anë të Ikardit. Por ndërsa dukej se gjithçka po shkonte në favor të italianëve, Perisiç prek topin me dorë brenda zonës dhe gjyqtari jep 11-metërsh. Nga pika e bardhë për anglezët gjuan Tadiç por portieri Handanoviç reagon mjaft mirë duke e pritur topin dhe duke shmangur golin.
Pjesa e dytë nis më mirë për vendasit të cilët e kanë detyruar portierin e Interit të kryente të tjera ndërhyrje për të shpëtuar portën. Duhej të vinte minuta e 64-ët, kur Van Dijk shënon, duke kthyer barazpeshën në fushë. Një tjetër gabim i Interit vjen në të 69-ën minutën, kur Nagatomo, topin e ardhur në zonë e dërgon në portën e vet, duke shkaktuar autogol.
Një autogol që e fundos më shumë Interin duke i lënë një shpresë shumë të vogël drejt kualifikimit. Në fund të ndeshjes, tifozët interistë të irrituar kanë ofenduar në kor skuadrës për paraqitjen në fushë. Tashmë Interit i duhet të fitojë dy ndeshjet e fundit në grupin K dhe të shpresojë që Sauthempton të marrë vetëm një pikë në ndeshjet e fundit për të shpresuar kualifikimin për më tej në Ligën e Evropës.