AlbanianSport.com 11/04/2020 20:35
ASNN – Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka premtuar të përdorë fondet rezervë të FIFA-s për të lehtësuar sadopak ndikimin financiar të krizës së koronavirusit në të gjithë botën e futbollit, duke këmbëngulur se “është detyra dhe përgjegjësia jonë për të ndihmuar”. Lojtarët, klubet dhe organizmat në çdo nivel të lojës janë duke llogaritur koston e pandemisë, me kampionatet në të gjithë botën të pezulluara dhe veprimtaritë madhore, përfshirë “Euro 2020”, që janë shtyrë ose, në disa raste, madje edhe janë anuluar.
Ndërkohë që janë ngritur pikëpyetje në lidhje me planet e FIFA-s për një reagim, shumë lojtarë nga klubet më të mëdha të botës e morën vetë nismën për të përkrahur futbollin në luftën kundër virusit, përfshirë fondin e ri “#PlayersTogether”, të nisur këtë javë nga një grup yjesh të Premier Ligës Angleze. Ndërkohë, ndërsa disa klube të nivelit më të larta të futbollit anglez, përfshirë Njukasëllin dhe Totenhemin, kanë njoftuar se kanë lënë pushim personelin për të përballuar krizën, Sauthemptoni dhe Uest Hemi janë bërë dy klubet e para të Premier Ligës që bënë të ditur një marrëveshje me lojtarët e tyre për shtyrjen e pagave.
Dhe Infantino ka thënë se organizmi që qeveris futbollin botëror tani duhet të shikojë në mënyrën më të mirë që mund të ndihmojë në zbutjen e ndikimit të krizës në çdo nivel të lojës. “FIFA gëzon një emër të mirë në tregjet financiare dhe kjo na ka ndihmuar të konsolidojmë një themel të fortë me rezerva të mëdha, – deklaroi ai. – Por rezervat tona nuk janë paratë e FIFA-s, ato janë paratë e futbollit. Pra, kur futbolli ka nevojë, ne duhet të mendojmë se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar, pasi kjo është përgjegjësia dhe detyra jonë. ”
Infantino tha se një proces konsultimi tashmë ka filluar të vlerësojë ndikimin financiar në futboll me qëllim krijimin e një fondi me një strukturë të pavarur qeverisjeje.
“Duhet ta dini se ne do të jemi atje dhe do të gjejmë zgjidhje së bashku,” shtoi Infantino. “Ju kurrë nuk do të jeni vetëm … dhe bota do ta dijë se ku shkojnë paratë dhe, po aq e rëndësishme, pse paratë shkojnë atje”.
Infantino tha se ai gjithashtu ka kërkuar që fondet që u jepen federatave anëtare më vonë gjatë vitit, në kuadër të Programit “FIFA Forward”, të paguhen paraprakisht në mënyrë që të ndihmojnë në likuiditetin financiar të klubeve. “Nëse futbolli arrin të ketë një diskutim ku të gjithë kontribuojnë pozitivisht dhe mbajnë parasysh interesin global mbi atë individual, unë jam i bindur se e ardhmja jonë mund të jetë më e mirë se e kaluara jonë, dhe ne do të jemi më të përgatitur për kohërat në vazhdim”, – tha italo-zvicerani.
Për më tepër, FIFA ka deklaruar se “fleksibiliteti dhe ndërgjegjësimi i përbashkët duhet të mbizotërojë kur është fjala për të rivlerësuar kalendarin e futbollit, në lidhje jo vetëm me kampionatet vendase dhe atë ndërkombëtar, por edhe kontratat e lojtarëve dhe periudhat e transferimeve të lojtarëve. “Jam i bindur që futbolli do të luajë një rol kryesor për t’i sjellë njerëzit përsëri, kur të jetë e sigurt të luhet përsëri, dhe ta bëjmë këtë me miqtë tanë dhe familjet në grupe të mëdha”, – tha Infantino. “Le të përgatitemi për atë moment. FIFA është me ju në këto periudha të vështira, e së bashku, ne do të fitojmë!”