AlbanianSport.com 16/11/2022 21:05
ASNN – Xhani Infantino ka folur në takimin e “G20”-ës, duke e quajtur Botërorin “Katar 2022” si më të arriturën ndonjëherë në histori. “Kjo veprimtari është një rast për të bashkuar njerëzit në paqe”, – ka thënë ai. Presidenti i FIFA-s ka apeluar për një armëpushim në Ukrainë, gjatë ditëve të zhvillimit të Botërorit. Presidenti i organizmit që qeveris futbollin botëror ka bërë thirrje të martën për një armëpushim një mujor në Ukrainë për të gjithë kohën që do të zhvillohet Botërori, duke thënë se sporti mund t’i bashkojë njerëzit.
Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, duke iu drejtuar udhëheqësve të Grupit të 20 ekonomive kryesore, të mbledhur në Bali, tha se Botërori që nis të dielën në Katar mund të shërbejë si një “mundësi pozitive” për luftën 9-mujore të shkaktuar nga Rusia në Ukrainë. “Lutja ime për të gjithë ju është që të mendoni për një armëpushim të përkohshëm për një muaj të paktën, për kohëzgjatjen e Botërorit”, – u tha Infantino liderëve të “G20”-ës. “Nëse jo një armëpushim i plotë, mund të ketë një zbatim të disa korridoreve humanitare ose çdo gjë që mund të çojë në rifillimin e dialogut midis palëve”, – tha ai.
Duke e përshkruar futbollin si një unifikues, ai vuri në dukje se Rusia kishte pritur Botërorin 2018 dhe se Ukraina po paraqet një ofertë të përbashkët me Spanjën dhe Portugalinë për Botërorin e vitit 2030. “Ne nuk jemi naivë të besojmë se futbolli mund të zgjidhë problemet e botës, – shtoi Infantino. – Por Botërori ofron një platformë unike, ku rreth 5 miliardë njerëz, më shumë se gjysma e njerëzimit, pritet të shikojnë në televizor ndeshjet dhe spektaklin që ofron vetëm Botërori duke përcjellë mesazhin që futbolli bashkon.”
“Le të shfrytëzojmë këtë mundësi për të bërë gjithçka që mundemi për të filluar t’i japim fund të gjitha konflikteve”, – ka përfunduar Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino.