AlbanianSport.com 28/01/2024 22:15
ASNN – Luzi 2008 humbi 1-2 të dielën me Lushnjën, dhe, pas ndeshjes, punëtori i fushës së stadiumit në Luz ka goditur gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Policia e Kavajës njofton se personi me iniciale A.L., 44 vjeç, është arrestuar në flagrancë. Dhe në mbrëmje ka reaguar mbi këtë incident edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila e ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj gjytarit Xhuljan Bacaj në përfundim të ndeshjes Luzi 2008-Lushnja, e vlefshme për javën e 18-të të Kategorisë së Parë.
“Menjëherë pas incidentit, gjyqtari Bacaj ka bërë denoncim ndaj autorit të dhunës, i cili është identifikuar si punonjës i klubit të Luzit dhe është arrestuar nga Policia e Shtetit, që ka reaguar shumë shpejt duke e neutralizuar, – sqaron reagimi i FSHF-së. -Federata e Futbollit kërkon nga organet ligjzbatuese dhe veçanërisht ato të drejtësisë që të marrin masa të forta për të ndaluar dhe dënuar aktet e dhunshme, që prishin imazhin e futbollit.”
“FSHF shpreh keqardhjen për këtë ngjarje të papranueshme dhe bën apel për të gjithë, që futbolli të mos penalizohet për shkak të disa individëve të dhunshëm e të papërgjegjshëm. Dhuna ndaj gjyqtarit e ndodhur në Luz nuk mund të ketë asnjë lidhje me futbollin dhe frymën e “Fair Play”-it dhe të gjithë aktorët duhet të distancohen nga veprime të tilla që e dëmtojnë lojën tonë të bukur”, – përfundon reagimi i organizmit që qeveris futbollin në vend.