Sporti shkodran e më gjerë humbi paraditen e së enjtes së 24 marsit 2016 ish-volejbollisten e njohur të Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare, Alda Kaçorri. Trajneria aktuale e Vllaznisë në volejboll për të reja, në cilësinë e mësueses së edukimit fizik në shkollën 9 vjeçare “Ismail Qemali”, është goditur nga një infarkt gjatë zhvillimit të mësimit me nxënësit e saj. Megjithë ndihmën e shpejtë që i është dhënë, Alda ndërroi jetë në moshëm 53-vjeçare.
Ndarja nga jeta e Alda Kaçorrit vjen në një moment kur ajo ishte mjaft aktive në drejtimin e ekipit të volejbollit të të rejave të Vllaznisë, ku në sajë të punës së saj pasionante dhe mjaft profesionale arriti të përgatisë një grup vajzash të talentuara, një pjesë e së cilave kaloi shumë shpejt në dispozicion të ekipit të parë, që drejtohet nga ish-kolegia e saj e fushës së lojës, Sadije Gogaj. Vdekja e saj e papritur ka tronditur tërë qytetin e Shkodrës dhe më gjerë, sidomos pjesëtarët e komunitetit të sportit.
Ata i kanë akoma të freskëta kontributet që Alda Kaçorri ka dhënë për volejbollin shkodran, qoftë në fushën e lojës si volejbolliste, por dhe më pas edhe si trajnere. Por, në të njëjtën kohë, po aq e spikatur ishte Alda edhe në fushën arsimore, ku si mësuese e denjë e edukimit fizik shërbeu me shumë devocion dhe përkushtim profesional. Për pjesëtarët e stafit pedagogjik të shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” dhe sidomos për nxënësit e kësaj shkolle, Alda Kaçorri do të mbetet përherë në kujtesën e tyre për korrektesën, kulturën profesionale dhe qytetare që e karakterizonte në edukimin e brezit të ri.
Burime pranë familjes “Kaçorri” si dhe Klubit shumësportesh Vllaznia bëjnë të ditur se ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të ish-trajneres së volejbollit dhe ish-mësueses së edukimit fizik, Alda Kaçorri, do të zhvillohet sot në orën 13:00 pranë varrezave të Rrmajit Shkodër. AlbanianSport.com i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Alda Kaçorrit për humbjen e njeriut të tyre të dashur, si dhe Klubit “Vllaznia” për humbjen e një figure sportive shumë të njohur, qoftë si sportiste, trajnere dhe mësuese e edukimit fizik.
Federata Shqiptare e Volejbollit ka vendosur që sot në të gjitha ndeshjet e saj të mbahet një minutë heshtje në kujtim të Alda Kaçorrit.