Albaniansport.net 27.01.2016 16:15
Federata Shqiptare e Qitjes dhe Sekretari i saj i Përgjithshëm, Koço Mikerezi, ka lajmëruar se të hënën është ndarë nga jeta një tjetër figurë e këtij sporti si Zenel Zeneli. “Zenel Zeneli ishte Mjeshtër Sporti dhe një nga figurat më të njohura të këtij sporti, – ka thënë Mikerezi, në letrën e ngushëllimit në emër të Federatës Shqiptare të Qitjes për familjen e të ndjerit.
“Zeneli ishte një nga qitësit veteran që për rreth 25 vjet me rezultatet e tij u rendit në elitën e sportit të qitjes, – ka vijuar ai në mesazhin e tij. – Ai konkurronte në qitjen me pushkë në ushtrimet 3×20 dhe 3×40 dhe për shumë vite u shpall “kampion kombëtar” duke qenë edhe mbajtësi i rekordeve kombëtare në këto ushtrime.”
“Gjithashtu Zenel Zeneli ka qenë anëtar i ekipit kombëtar dhe ka përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në veprimtaritë brenda dhe jashtë vendit, – ka vijuar mesazhi i organizmit që qeveris qitjen shqiptare. – Me vdekjen e tij sporti i qitjes ka humbur një nga njerëzit dhe sportistët më të mirë, kurse familja njeriun dhe babain e dashur.”
Në këtë ngushëllim të Federatës Shqiptare të Qitjes për familjen e Zenel Zenelit bëhet pjesë edhe AlbanianSport.com.