AlbanianSport.com 18.01.2017 15:25
ASNN – Sportit shqiptar do t’i mungojë një tjetër figurë e madhe e sportit. Ymer Pampuri është ndarë nga jeta mëngjesin e së mërkurës si pasojë e një ataku kardiak, në moshën 73-vjeçare. Ai mbetet sportisti më i suksesshëm në Shqipëri, pasi ka fituar një titull “kampion bote” në njërin stil.
Në Olimpiadën e vitit 1972, të organizuar në Mynih, pasi ka mposhtur dy kundërshtarët rusë dhe japonezë, në peshën 60 kg, Ymer Pampuri, arrin të renditet në vend të parë në stilin e forcës, që tanimë nuk ekziston si stil në peshëngritje. Një rezultat i tillë nuk është arritur më asnjëherë nga ndonjë sportist tjetër në Shqipëri.
Interesant është fakti se Ymer Pampuri e filloi karrierën e tij në cirk. Por talenti i tij për sportin e peshëngritjes, ra në sy te specialistët e këtij sporti. Për 10 vite, nga 1964-1974, ka qenë kampion absolut i vendit, ndërsa në 1971 bëhet nënkampion Evrope. Për arritjet e tij në sportin e peshëngritjes, ka marrë edhe titullin “Mjeshtër i Madh”.
Kështu pra, një nga personazhet më të spikatur, legjenda e peshëngritjes Ymer Pampuri është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare, si pasojë e nja ataku kardiak. Pampuri u shpall kampion bote në Olimpiadën e Mynihut në vitin 1972, ku garat e peshëngritjes shërbyen edhe si kampionat botëror.
Ymer Pampuri fillimisht ka pasur një pasion për cirkun. Në moshën 7-vjeçare pasioni i tij ka qenë cirku, por më pas do të bëhej peshëngritja. Talentin e tij për peshëngritjen e ka zbuluar i famshmi Telat Agolli, i cili mandej e mori Ymerin në palestër dhe nisi ta stërviste.
Pampuri nuk ishte më shumë se 20 vjeç, kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar me peshën 120 kilogramë. Në 1972 Ymer Pampuri do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian që u organizua në Rumani. Shqipëria prezantohej aty për herë të parë. U shpall nënkampionë me peshën 125 kilogramë, e njëjtë me atë të vendit të parë, por mandej pesha trupore bëri diferencën.
Në të njëjtin vit merr pjesë në Lojërat Olimpike që zhvilloheshin në qytetin e Mynihut. Në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi i “17 Nëntorit” të Tiranës theu në Gjermani rekordin olimpik të Joshinobu Mijakes së Japonisë në stilin e forcës. Gara u zhvillua më 29 gusht 1972 dhe Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127,5 kilogramë.
Veç medaljeve e titujve, i është akorduar edhe titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, si dhe urdhri “Naim Frashëri” i klasit të parë. Në vitin 1981 hoqi dorë përfundimisht nga sporti, që i kishte dhuruar aq shumë emocione për disa vjet radhazi dhe u rikthye në mjediset e Cirkut të Tiranës, aty ku do të dilte në pension në moshën 50-vjeçare.
Ymer Pampuri iu rikthye peshëngritjes në moshën 63-vjeçare. Legjenda e sportit shqiptar, por edhe një nga personat më të njohur të Cirkut Kombëtar, mori mbi supe një sfidë të re, Kampionatin Botëror për Mjeshtërinë që zhvillohet në Francë nga data 26 gusht deri më 2 shtator 2006.