AbanianSport.net 27.12.2014 21:40
ASNN – Është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare, mjeshtri i humorit, Veli Rada. Prej 35 vitesh ka qenë pjesë e Estradës së Tiranës, ku u bë protagonist i dhjetëra skeçeve dhe parodive humoristike. Veli Rada ka përcjellë për sportdashësit emocionet e ndeshjeve të kampionatit dhe kombëtares shqiptare nëpërmjet valëve të Radio-Tiranës dhe Televizionit Shqiptar. Homazhet në nderim të Veli Radës u kryen në Teatrin e Metropolit.
Ndahet nga jeta, mjeshtri i madh i humorit, i mirënjohuri Veli Rada. Një sëmundje e rëndë e ndau nga bashkëshortja, dy vajzat dhe nipërit, në moshën 72-vjeçare. Veli Rada ishte një aktor i shquar i humorit shqiptar, i nderuar dhe vlerësuar me shumë tituj. Në vitin 2013 ai u nderua nga Bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e kryeqytetit” si dhe nga Presidenti i Republikës “Mjeshtër i Madh”. Veli Rada ka përfunduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve në periudhën 1972-1975 në degën e aktrimit.
Dhe menjëherë pas marrjes së diplomës, u bë pjesëtar i Teatrit të Estradës së Tiranës, ku punoi për 35 vjet si aktor profesionist i saj. Ka qenë protagonist i dhjetëra skeçeve dhe parodive humoristike. Ka realizuar qindra role, prej të cilëve shumë do të mbeten të paharruar, ndërsa punoi si regjisor dhe asistent regjisor e si skenarist humori. Por jo vetëm kaq, Rada ka marrë pjesë edhe në filmat artistikë, teksa ka luajtur në rolet episodike në filmat “I treti” dhe “Shembja e idhujve”.
Nuk mund të lemë pa përmendur edhe pasionin e tij të veçantë për sportin. Veli Rada ka komentuar me zërin e tij karakteristik, me dhjetëra ndeshje të kampionatit dhe kombëtares shqiptare. Duke përcjellë tek sportdashësit, emocionet e ndeshjeve, nëpërmjet valëve të Radio-Tiranës dhe Televizionit Shqiptar. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka shprehur dhimbje për humbjen e aktorit dhe ngushëllimet për familjarët, nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.
Homazhet në nderim të tij do të bëhen sot në sallën e Teatrit të Metropolit në Tiranë në orën 13:00. Homazhet për të nderuar aktorin e nderuar, Veli Rada u kryen në Teatrin e Metropolit.