AlbanianSport.com 22/02/2021 19:25
ASNN – Futbolli shqiptar ka humbur sot një tjetër personalitet. Është ndarë nga jeta Seit Hyseni, apo i njohur gjerësisht si Tit Hyseni, ish-futbollist i Tiranës, por edhe i ekipeve Kombëtare në vitet ‘70-‘80. Hyseni ka qenë pjesë e një plejade të shkëlqyer të futbollit shqiptar e veçanërisht të klubit kryeqytetas, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij. I rritur si futbollist në ekipet zinxhir të Tiranës, ai ka luajtur edhe për një kohë me Shkëndijën e Tiranës.
Kjo, teksa ndiqte studimet në Institutin e Fizkulturës, ndërsa është aktivizuar edhe me disa prej ekipeve Kombëtare të moshave. Një qendërmbrojtës autoritar, Hyseni ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te bardheblutë, duke qenë një pikë referimi për disa sezone e duke mbetur në memorien e tifozëve. Edhe pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur ai dhe kontributin e tij të vyer për edukimin e brezave të rinj, duke punuar për disa kohë si trajner me ekipeve e moshave të Tiranës.
Në një postim në profilin e tij në rrjetet sociale, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. “Miku im Tit Hyseni, siç e njohin shokët dhe sportdashësit, ka qenë pjesë e një plejade të shkëlqyer të futbollit shqiptar e veçanërisht të klubit kryeqytetas, ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij”, – shkruan Duka.
“Miqve dhe shoqërisë së tij do t’i mungojnë shumë vlerat njerëzore të Tit Hysenit, batutat e humori i tij i hollë, si edhe forca e tij e karakterit. Personalisht dhe në emër të FSHF-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. U prehsh në paqe Tit Hyseni! I paharruar qoftë kujtimi yt!”, – përfundon mesazhi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit.