AlbanianSport.com 30/08/2021 14:55
ASNN – Njeriu që e drejtoi olimpizmin botëror për 12 vjet shuhet në moshën 79-vjeçare. Ish-presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Zhak Rog, është ndarë të dielën në mbrëmje nga jeta, në moshën 79-vjeçare. Një gjë e tillë e ka bërë të ditur organizmi që qeveris lëvizjen olimpike botërore. Belgu Rog shërbeu si presidenti i 8-të i IOC-së, nga viti 2001, deri në 2013-ën, kur u zëvendësua nga gjermani Tomas Bah dhe u zgjodh si “president nderi”.
“Zhak Rog e dashuronte sportin dhe të qenit me sportistët dhe ai ia përcillte pasionin e tij kujtdo që e njihte”, – ka deklaruar presidenti aktual i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, duke shtuar: “Ngazëllimi i tij me sportin ishte ngjitës”. Më tej, gjermani 67-vjeçar vlerësoi rolin historik të paraardhësit të tij, duke thënë: “Ai ishte një president i plotë në të gjitha aspektet, që ndihmoi mjaft në shndërrimin dhe modernizimin e IOC-së.”
“Ai do të mbahet mend veçanërisht për promovimin e sportit për të rinjtë dhe për organizimin e Lojërave të para Olimpike Rinore. Ai ishte gjithashtu një luftëtar i madh për një sport të pastër dhe luftoi pa u lodhur ndaj të këqijave të dopingut”, – përfundoi Bahu. Në shenjë nderimi për ndarjen nga jeta të Zhak Rogut, flamuri olimpik do të zbresë në gjysmështizë.