Gjergj Vyshka 25.06.2016 10:45
I ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare ish-gjyqtari i kolegjiumit të futbollit të Shkodrës, Leonard Prela, është përcjellë me nderime dhe respekt nga komuniteti i qytetit verior për në banesën e fundit. Në ceremoninë e lamtumirës së njërit prej bilbilave më të spikatur të kolegjiumit të gjyqtarëve të Shkodrës, por edhe atyre shqiptarë ishin të pranishëm edhe shumë miq, shokë, kolegë e bashkëkohës të tij nga Tirana dhe rrethet e tjera të Shqipërisë.
Ndërkohë që nuk munguan edhe përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët, edhe në emër të presidentit të këtij institucioni Armand Duka, vendosen një kurorë me lule të freskëta pranë trupit të pajetë të ish-gjyqtarit të mirënjohur Leonard Prela. Nga sa bëhet e ditur, gjatë viteve të fundit ai vuante nga një sëmundje e rëndë, të cilën edhe pse luftoi dhe e sfidoi duke qëndruar shumë aktiv në jetën e përditshme me familjen dhe shoqërinë nuk mundi ta kalonte.
Vetëm në javën e fundit, ai u dorëzua duke mos e përballuar avancimin e saj derisa edhe ia mori jetën. Krahas të pranishmëve të shumtë, në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit me shumë emocion u përjetua edhe mbërritja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i të vëllait të Leonardit, Tef Prelës, edhe ky një nga gjyqtarët më të mirë të Shkodrës dhe Shqipërisë. Të dy për vite me radhë mbajtën peshën e kolegjiumit të Shkodrës, duke përcjellë përherë korrektësi, profesionalizëm dhe drejtësi.
Në fjalën e lamtumirës së mbajtur nga drejtuesi i kolegjiumit të Shkodrës, Mëhill Shkëmbi, evidentoi vlerat më të mira pozitive që karakterizonin Nardin në fushën e gjykimit. Madje jo vetëm, në këtë fushë, por edhe në atë të jetës shoqërore, pasi duke qenë një inxhinier i zoti në specialitetin e përpunimit të drurit, atij iu besuan edhe drejtimet e institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Sipas Shkëmbi, që është një njohës shumë i mirë i familjes sportive “Prela”, dy vëllezërit, Tefa në fillim dhe më pas edhe Leonardi kanë qenë dhe mbeten ndër gjyqtarët më të zotë të kolegjiumit të Shkodrës. Madje kanë arritur deri në marrjen e stemës ndërkombëtare.