Gjergj Vyshka 13.12.2016 07:05
Volejbolli shqiptar është në zi, sepse mbrëmë, në moshën 80-vjeçare, është ndarë nga jeta Vasil Binga. Një figurë që ka kontribuar në volejbollin shqiptar jo vetëm si lojtar e trajner, por dhe si konsulent në Federatën Shqiptare të Volejbollit, veçanërisht për brezat e rinj, apo lojtarët e kombëtareve të moshave. Binga ka qenë pjesë e ekipit kombëtar më 1955-1958 e deri më 1965 ka luajtur si për Partizanin, ashtu dhe për Dinamon, Spartakun për ta mbyllur karrierën e tij tek 17 Nëntori.
Është shquar për cilësitë e tij të mira tekniko-taktike, një lojtar i fortë e gjithnjë rezultativ në rolin e shuterit. Specialistët e kanë vlerësuar dhe për sulmin me topin e shkurtër, ndërsa për karrierën e tij të gjatë është nderuar me dekorata e titullin Mjeshtër Sporti. Nga 1990-ta e deri më 2005-ën do të ishte trajner i Dinamos.
Fillimisht me legjendën Vangjel Koja, me të cilin do të shpalleshin “kampion kombëtar” më 1990-1991 e më pas vetë, më 1991-1992 (vendi i tretë), 1992-1993 (vendi i katërt), 1993-1994 (vendi i katërt së bashku me Ilia Gaxhon), 1994-1995 (vendi i dytë), 1995-1996 (“kampion”), 1996-1997 (vendi i dytë), 1998-1999 (vendi i dytë), 1999-2000 (vendi i dytë, së bashku me Adrian Doçin), 2000-2001 (vendi i dytë, së bashku me Adrian Doçin), 2001-2002 (vendi i gjashtë së bashku me Ilir Cironaku).
E më pas do të ishte pjesë e institucionit të lartë të rrjetës duke kontribuar si specialist. Federata Shqiptare e Volejbollit shpreh ngushëllimet e saj familjes Binga, ndërsa përcjellja për në banesën e fundit do të jetë sot në ora 14:00. AlbanianSport.com i shpreh ngushëllimet e saj familjes Binga.