Gjergj Vyshka 25.06.2016 15:40
Leonard Prela figuron të ketë nisur në fushën e gjykimit të futbollit në vitin 1973 në një brez me kolegët e tij Mëhill Shkëmbi, Faik Jera, Genc Agolli, Gëzim Boti, Skënder Bilali, Tahir Kalaci. Në kategorinë e parë sportive ai ngjitet pas katër vitesh, duke mbërritur të gjykojë madje jo pak herë në një treshe ku ishin që të dy vëllezërit Tef dhe Leonard Prela, ndërkohë që alternoheshin edhe emrat e tjerë si Shkëmbi, Halili, Simoni, Pogu, Abati, Dani, Jubica etj. Për të ardhur deri tek brezi tjetër më i ri si Astrit Dervishi, Astrit Isufi, Prel Mrina, Alfred Pavaci, Rrok Nushi, Agim Jahja etj.
Krahas gjykimit me shumë kompetence të ndeshjeve të kampionatit shqiptar, Leonard Prela ka gjykuar edhe në arenën ndërkombëtare, ndër të cilat mbahet mend edhe ajo e Nën-21-vjeçarëve, midis Shpresave të Shqipërisë dhe Greqisë, ku në cilësinë e anësorit ka marrë vlerësime shumë pozitive. Ndër të tjera, në kujtimet që sjellë për Leonard Prelën, kolegu dhe miku shumë i ngushtë i vëllezërve Prela, Mëhill Shkëmbi bën të ditur se vlerat e Leonardit në fushën e gjykimit ishin të përmasave shumë cilësore. Por nëse ai nuk arriti të kapë maja më të larta të kategorisë ndërkombëtare ka qenë në një farë mënyre edhe biografia e familjes që asokohe shikohej shumë nga sistemi i kaluar.
Por krahas kësaj, pengesë për rritjen dhe afirmimin akoma më shumë të veprimtarisë së tij ishte edhe fakti se në elitën e kolegjiumit ishin njëherazi dy vëllezër, njëri më i mirë se tjetri, një rast ky krejt i veçantë në historinë e gjykimit shqiptar për të cilën Federata e shikonte pak si me problem. Shkëmbi thekson se në shumë rast, vlerat e Leonardit ishin edhe shumë më të mira se sa të Tefes, por që meqë ai ishte më i madh e vuante vëllai i vogël, Leonardi. Nëse dy vëllëzërit Leonard dhe Tef Prela u bënë shumë të njohur në fushën e gjykimit, merita në këtë mes i takon babait të tyre, intelektualit të hershëm dhe shumë të zotë të qytetit të Shkodrës, Tonin Prela.
I shkolluar në akademitë më të njohura të Italisë ia ushqeu pasionin për sportin dhe gjykimin fëmijëve të tij. Ndërkohë, që me të gjitha gjasat, tradita e familjes “Prela” në fushën e gjykimit do të vazhdojë edhe me djalin e Leonardin, 16 vjeçarin Kledis, i cili duke qenë pjesë e Gjimnazit “Jordan Misja”, krahas rezultateve të shkëlqyera në mësime, ka nisur të japë shenjat e një gjyqtarit të perspektives. E me shumë gjasa, jo shumë larg, një “Prelë” pritet të jetë në arenën e kësaj fushe. Redaksia e gazetës “Sport Ekspres” i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes “Prela”, të shoqes Lindita dhe të birit Kledisit, për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
E jo vetëm kaq, por dhe kolegjiumit të Shkodrës për humbjen e një gjyqtari me shumë vlerë gjatë karrierës së tij sportive. Këtyre ngushëllimeve u bashkohet edhe AlbanianSport.com.