AlbanianSport.com* 07.09.2016 20:25
Volejbolli shqiptar përcolli të hënën për në banesën e fundit një prej figurave të shquara të tij, Fatmir Sharofin, i cili u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Lojtar i shquar, pjesë e ekipit tonë kombëtar.
Ishte një ndër kuqezinjtë që përfaqësuan Shqipërinë në fazën finale të Kampionatit Botëror të Volejbollit në vitin 1962 në Bashkimin Sovjetik duke arritur rezultatin më të lartë deri më sot të një skuadre në Shqipëri.
Trajner për vite me radhë i skuadrave të volejbollit të Tiranës, meshkuj dhe femra, duke punuar dhe përgatitur breza të tërë sportistësh. Me të njëjtin përkushtim ju rikthye trajnimit në fillimin e viteve 2000 me skuadrën e volejbollit të Rrëshenit, ku hodhi bazat për ngritjen në elitë të kësaj skuadre deri atëherë modeste.
Anëtar i kryesisë së Federatës Shqiptare të Volejbollit, i votëbesuar në 2 mandate radhazi dhe kryetar i një prej komisioneve të FSHV. Delegat Teknik i FSHV për shume vite në veprimtaritë kombëtare te volejbollit.
Miku i të gjithë gjyqtarëve, pavarësisht moshës. I tillë mbeti edhe kur drejtoi për disa vjet skuadrën mirditore, ku në asnjë rast nuk kërkoi favore nga njohja personale dhe miqësia që kish me gjyqtarët, por pranoi me sportivitet rezultatin e fushës.
Lamtumirë Profesor Sharofi! Të qoftë dheu i lehtë!
* Gjyqtarët e volejbollit dhe delegatet teknike.