Nga Gaspër Marku 26.02.2017 15:25
Që prej ditës së djeshme, Shkodra, por edhe mbarë sporti kombëtar, ka një figurë të njohur sportive më pak. Bëhet fjalë për “pionierin e gjimnastikës”, Zef Kraja, i cili ndërroi jetë në moshën 97-vjeçare. Komuniteti shkodran dhe sidomos njerëzit e sportit e përcollën me respekt për në banesën e fundit duke u ndarë fizikisht me të.
Falë vlerave të shumëfishta që dispononte, me propozim të Klubit Shumësportësh “Vllaznia”, Këshilli Bashkiak i Shkodrës e ka dekoruar një vit më parë me titullin, “Mirënjohja e qytetit”. Për Benjanim Nakon, ish-gjimnast i Vllaznisë, sporti shkodran dhe ai kombëtar ka humbur një figurë sportive me shumë vlera.
“Zef Kraja, një ndër gjimnastët më të parë të qytetit të Shkodrës, dhe jo vetëm të këtij qyteti, por i gjithë vendit, – kujtoi Nako. – Një figurë e ndritur, i cili në vitet 1937, si gjimnazist i Gjimnazit “28 Nëntori”, ishte ndër të parët që hodhi bazat e gjimnastikës në Shkodër. Sporti i gjimnastikës humbi një nga figurat legjendare të tij.”
AlbanianSport.com i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Kraja për humbjen e njeriut të tyre të afërt.