Gjergj Vyshka 14.10.2015 16:10
Kostandin Ktona ka lindur më 24 prill 1930 në Bukuresht të Rumanisë. Në kryeqytetin e Rumanisë është zhvilluar karriera e tij sportive, të cilën në moshën 31 vjeç e zhvilloi në vendin tonë. Më 1947 është Kampion në not në stilin flutur, si dhe kampion në Vaterpolo, gjithnjë në Rumani. 1949-1955 është kampion në basketboll me Rapidin e Bukureshtit. 1955-1961 ishte kampion i hendbollit me Steauanë, me të cilën më 1958 është dhe “kampion” Evrope.
Më 1961 është kthyer në Shqipëri dhe karrierën e tij si basketbollist e ka zhvilluar tek Tirana, asokohe 17 nëntori. Më 1974 organizon Kampionatin e parë Shqiptar në Hndboll. Në periudhën 1989-1992, tashmë si trajner, është kampion në hendboll me Studentin. Më pas 1992-1996 është sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Hendbollit, kurse nga viti 1996 deri më 2001 është dhe president i saj.
Më 1998 është nderuar nga KOKSH me “Urdhërin Olimpik”, ndërsa më 1999 ka marrë titullin “Nderi i sportit shqiptar”, pa harruar që më 2000 është nderuar dhe nga Federata Botërore e Hendbollit për kontributin e zhvillimit të këtij sporti sidomos në vendin tonë. Është ndarë nga jeta më 24 gusht 2013 në moshën 83-vjeçare. Një figurë komplekse, të cilën KOKSH dhe Federata Shqiptare e Hendbollit bën mirë që e nderuan.
Por që meriton edhe të tjera nderime, ndoshta me një veprimtari më të madhe të paktën në rang përfaqësuesesh.