Nga Adriatik Balla 07.06.2015 10:05
Nëse FSHF-ja mendon të përmirësojë formulën e garës, në mënyrë që kampionati të jetë sa më cilësor, konkurrues dhe natyrisht, i rivalizuar, klubet mendojnë vetëm për përfitimet e tyre. Ata janë vazhdimisht të pakënaqur me rezultatet dhe dëshirojnë të shtojnë paraqitjen e tyre cilësore me lojtarë të blerë nga jashtë, pra lojtarë që kanë vlerë
të madhe në treg. Dështimi që pësoi Tirana sezonin që lamë pas, duke mos marrë asnjë trofe dhe duke mos u kualifikuar për në Kupat e Evropës, e ka vënë atë në radhë të parë për kërkimin e lojtarëve cilësorë dhe duke qenë se në kampionat janë të zënë më të mirët, po hedh sytë nga jashtë për të afruar lojtarë të huaj, por që kanë cilësi dhe mund të bëjnë diferencë.
Por aktivizimin e të huajve FSHF-ja e ka reduktuar dhe prandaj, klubet si Tirana hasin pengesë. Për këtë arsye ato kërkojnë ndryshimin e rregullores dhe Tirana nuk është e vetme në këtë nismë që mund të sjellë ndryshimin e rregullave. Kështu, kërkesës së Tiranës për të rritur numrin e futbollistëve të huaj në kampionatin shqiptar i janë bashkuar edhe 7 klube të tjera konkurruese në edicionin e ri të Kategorisë Superiore. Të kontaktuar nga mediat, drejtuesit e Skënderbeut, Kukësit, Partizanit, Laçit, Flamurtarit, Bylisit dhe Tërbunit janë shprehur pro iniciativës së Tiranës dhe për ta materializuar atë nëpërmjet një kërkesë zyrtare, pranë institucionit që qeveris futbollin në vend.
Ndërkohë kundër kësaj nisme janë shprehur drejtuesit e Vllaznisë dhe Teutës, të cilat e kanë justifikuar me qëndrimin e tyre me politikën e ndjekur në sezonin e fundit, ku u dhanë më shumë hapësira futbollistëve të rinj dhe që pritet të vijohet edhe në sezonin e ardhshëm. Nga ana tjetër, në prononcimin e tyre drejtuesit e të tetë klubeve që synojnë ndryshimin e rregullores për numrin e futbollistëve të huaj në kampionatin tonë kanë qenë pothuajse në unison për arsyet e këtij ndryshimi. Më kryesorja dhënia e mundësisë për të afruar sa më shumë futbollistë cilësorë nga tregu i huaj për të përballuar konkurrencën e shtuar në kampionatin shqiptar. Një vendim i tillë do t’i ndihmonte klubet pjesëmarrëse në Kupat e Evropës për të qenë edhe më tepër konkurrues përballë rivalëve të tyre.
Dhe më së shumti, rritjen e numrit të futbollistëve të huaj në kampionatin tonë drejtuesit e 8 klubeve pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore e motivojnë si kundërpërgjigje për lëvizjet e një pjesë të lojtarëve vendas, të cilët gjatë këtyre ditëve po zhvillojnë një “tender” të vërtetë, duke marrë oferta nga pothuajse të gjithë ekipet e elitës së futbollit tonë. Një treg më i hapur do të mund të vendoste rregull edhe në periudhën e tregut të transferimeve. Vullneti i të tetë klubeve pritet t’u paraqitet anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit në mbledhjen e tyre më të afërt.