AlbanianSport.com 26.09.2014 09:55
ASNN – Lezhjani që aktivizohet tek Iliria, Anton Lleshi, të paktën edhe sipas faqes në “Facebook” të KS Iliria, e sheh përballjen e parë ndaj Adës si një sfidë që duhet fituar. “Kemi afro tre muaj që kemi filluar përgatitjet për sezonin e ri, – ka deklaruar ai.
“Ekipi ynë ka vijuar stërvitjet normalisht për takimin e parë ndaj skuadrës velipojake, ndërsa kjo sfidë duhet fituar, – ka vijuar lezhjani i fushë-krujasve. – Luajmë përpara tifozërisë sonë dhe i kemi të gjitha mundësitë për të dalë me sukses.”
Për 20 vjeçarin është sezoni i dytë që luan për ngjyrat e Ilirisë dhe ka spikatur me lojën e tij në qendër të sulmit. Ai është dalluar edhe si golashënues sezonin e kaluar, kur Iliria luante në Kategorinë e Dytë.
Ndaj trajneri Fatmir Sala ka kërkuar që Lleshi të jetë sërish pjesë e Ilirisë. Lojtari do të ketë në krah lojtarë si Vathi, Ajazi apo Tali.