AlbanianSport.com 12.11.2015 22:40
ASNN – Hungaria ka marrë të enjten një fitore minimale, por mjaft të vyer, në Norvegji ndaj përfaqësueses vendase, në takimin e parë të çiftit të parë të “play-off”-eve të Evropianit “Francë 2016”. Emocionet e këtij takimi u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili do të ofrojë një javë të tërë me spektaklin e futbollit kontinental.
“Play-off”-et, akti i fundit i fazës eliminatore të Evropianit “Francë 2016”, kanë nisur dje raundin e ndeshjeve të para, me takimin midis Norvegjisë dhe Hungarisë, që u fitua nga miqtë me një gol të vetëm. Pjesa e parë e kësaj sfide ka nisur premtues për përfaqësuesen nordike, e cila ka patur një mundësi të mirë për të shënuar në minutat e para.
Por gardiani veteran i hungarezëve, Kirali, reagon në mënyrë të shkëlqyer dhe shmang një gol të sigurt. Por Hungaria e hedh vështrimin gjithnjë e më tepër nga porta kundërshtare dhe, pasi ka rrezikuar me një goditje në pozicion të prirët, do të gjejë në minutën e 26-të edhe golin e epërsisë me autor Lazlo Klain-hajslerin, i cili e kurorëzon kështu në mënyrën më të mirë debutimin e tij me fanellën e përfaqësueses.
Norvegjia është e tulatur dhe pjesa e parë është mbyllur me epërsinë njëgolëshe të miqve. Pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë dhe Hungaria shkon në ndeshjen e kthimit duke ëndërruar Evropianin e vitit të ardhshëm. Të premten, po në të njëjtin orar, luhet ndeshja e parë e çiftit të tretë, ku Bosnjë-Hercegovina do të presë në takimin e parë Irlandën, për të vijuar të ndeshet në Dablin me vendasit në takimin e kthimit.
Ndërsa të shtunën luhen ndeshjet e para të dy çifteve të tjera dhe Ukraina do të përballet me Slloveninë, në një duel në distancë rivalësh të Europës Juglindore. Në çiftin e fundit, Suedia përballet me Danimarkën në një derbi nordik, ku favorite mbetet skuadra e Zllatan Ibrahimoviçit. Ndeshjet e kthimit të “play-off”-it luhen më 15, 16 dhe 17 nëntor 2015.