AlbanianSport.com 19/12/2018 13:50
ASNN – Horhe Sampaoli është trajneri i ri Santosit. Menjëherë pas publikimit të lajmit ai është përshëndetur nga legjenda braziliane e futbollit, Pele. Tri herë kampioni i botës i ka uruar suksese në punën e tij trajnerit argjentinas, madje i ka ofruar edhe ndihmën e tij.
“Kjo është sfida më e madhe e karrierës sime,” – tha Sampaoli, i cili u paraqit në Muzeun e Futbollit në Sao Paulo, i veshur me një këmishë të bardhë dhe pantallona të zeza. Argjentinasi, 58 vjeç, ishte i papunë që nga eliminimi i Argjentinës në turin e 16-shes së Botërorit “Rusi 2018”.
Presidenti i Santosit, Zhosé Karlos Peresh, i dha atij bluzën e klubit. “Pas propozimeve të panumërta, kuptova se kjo ishte koha për të punuar në Brazil,” – tha Sampaoli. Kampion i Kupës së Amerikës me Kilin në vitin 2015 dhe me përvojë në klube në Ekuador, Peru, Kili dhe klubin spanjoll të Seviljes, Sampaoli tashmë do të drejtojë Santosin për dy vite.