AlbanianSport.com 13/10/2018 23:35
ASNN – Duket se dështimi në Botërorin e Rusisë nuk ka qenë rastësor. Gjermania e madhe ka probleme. Kampionët e botës në vitin 2014, një prej skuadrave më të forta në planet, janë shëmtuar aq shumë gjatë këtij viti, sa asnjë skuadër rivale nuk i merr seriozisht. U vërtetua edhe mbrëmjen e së shtunës, ku Gjermania e trajnerit Joakim Lëv u mposht nga Holanda 3-0 në kuadër të grupit të parë në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Virgjil Van Dijrk shënoi golin e parë për “Tulipanët” në minutën e 30-të, duke shtruar “rrugën” për fitoren e Holandës, ndërkohë që gjermanët, edhe pse me një dominim të dukshëm në qarkullimin e topit, nuk ia dolën seriozisht të vënë në funksion kapacitetet e tyre teknike e taktike. Në pjesën e dytë pritej një reagim i fortë i gjermanëve dhe në fakt në minutat e para u dhanë disa sinjale që mund të vinte edhe barazimi.
Por nuk ndodhi kështu. Me kalimin e minutave gjermanët ushtruan presion të fortë në sulm, por lanë shumë hapësira në mbrojtje dhe pikërisht në tri minutat e fundit vjen dhe ndëshkimi. Fillimisht Depaji e më pas Gjorgjino Vilnajdum shënuan dy golat e tjerë duke e cuar rezultatin në 3-0 dhe duke tronditur keqas stolin e Joakim Lëvit.
Pas kësaj ndeshjeje dhe kësaj disfate të rëndë, me siguri që kritikët e Lëvit do të kenë material të fortë për ta akuzuar atë si “mashtrues”, sepse prej kohësh kërkojnë prej tij dorëheqjen, me argumentimin e fortë se Lëv nuk ka më çfarë t’i japë kësaj skuadre dhe se cikli i Gjermanisë së tij ka marrë fund. Sa u përket grupeve të tjera të ligave të të tjera, spikati dhe disfata e Armenisë në Divizionin D, ku u mposht në fushën e saj nga modestët e Gjibraltarit,me rezultatin 0-1, një rezultat krejtësisht i paparashikuar.
Ligën e Kombeve
Liga A
Grupi 1
Holandë – Gjermani 3-0
Liga B
Grupi 1
Sllovaki – Republika Çeke 1-2
Grupi 4
Irlandë – Danimarkë 0-0
Liga C
Grupi 3
Norvegji – Slloveni 1-0
Bullgari – Qipro 2-1
Liga D
Grupi 1
Gjeorgji – Andorra 3-0
Letoni – Kazakistan 1-1
Grupi 4
Armenia – Gjibraltar 0-1
Maqedoni – Lihtenshtejn 4-1