Nga Gjergj Vyshka 15.11.2014 11:15
Jemi sërish dinjitoz në ndeshjet tona, këtë herë në një miqësore luksi ndaj Francës. Një pjesë e parë fantastike, shtyllë e Canës dhe gol model i Mavrajt e më pas rezistencë e fortë. Historike! Kombëtarja shqiptare ka arritur t’i ndalë “këngën gjelave” të Francës brenda në Renë. Edhe pse ishte miqësore, për tanët konsiderohet ndër ato ndeshje luksi që rrallëherë i kemi të tilla si përgatitore, Shqipëria ka qenë më shumë se sa dinjitoze në këtë përballje me organizatorët e Kampionatit Evropian të 2016-ës.
Që në fillim kuqezinjtë e kanë vënë nën presion skuadrën kundërshtare. Janë disa goditje këndi të marra njëra pas tjetrës, të cilat prodhojnë tension në zonën e rreptësisë franceze dhe tek portieri Loris. Mbrojtja franceze përvesh mëngët, ndërsa në të dytën minutë ka devijuar një goditje këndi të Cikalleshit. Në të 17-n, Mavraj, edhe pse ka qenë përballë portës franceze, nuk ka mundur të kopjojë Salihit, në atë gol legjendar që ka shënuar në marsin e 2013-tës në Oslo ndaj Norvegji.
Topi i gjuajtur nga qendërmbrojtësi kuqezi, që ka ardhur pas një skeme të interpretuar drejt nga tanët, ka përfunduar mbi traun e portës së mbrojtur nga Loris. Por drithërimat për Francën nuk kanë mbaruar, ndërsa Cana trondit traun, kurse Lenjani, në pozicion diagonal me portën tonë, ka gjuajtur jashtë. Francezët mundohen, por nuk gjejnë hapësirat e duhura në mbrojtjen tonë, pavarësisht se në disa momente ka pasur dhe luhatje të Berishës, i cili me kalimin e minutave e ka fituar besimin dhe është po ai i zakonshmi i ndeshjeve të mëparshme.
Dhe vjen mrekullia, teksa Hysaj ka krosuar nga e majta e Mavraj me kokë nuk ka gabuar. E heshtje në Rene, kurse Shqipëria, për herë të parë në të gjitha ballafaqimet e saj me Francën, është në epërsi në një ndeshje shumë të madhe. Pjesa e dytë është e tëra nën presionin e francezëve, të cilët mundohen të luajnë dhe presingun. Kurse tanët përpiqen me kundërsulm, atje ku Cikalleshi në çdo moment e ka mbajtur nën tension skuadrë vendëse.
Ndërrimi i parë me Ajetin duket se ka krijuar pështjellim në skuadrën tonë, sepse askush nuk ka marrë vesh atë që kërkonte De Biazi. Pavarësisht se është komunikuar dhe me Agollin, kuqezinjtë nga një 3-5-2 i kërkuar janë me pesë mbrojtësa, që krijon kështu më shumë hapësirë për vendësit për të goditur. Benzema e Pogba godasin. Dhe gradualisht francezët e kanë gjetur dhe golin e barazimit, që ka për autor Grizmanin në minutën e 73-të.
Zëvendësimet e shpeshta e ulin ritmin e lojës, paçka se francezët mundohen të imponojnë shpejtësi në minutat në vazhdim. Tanët shtrëngojnë dhëmbët dhe me shumë maturi ia kanë arritur të kalojnë edhe pesë minutat shtesë. E kësisoj kemi barazuar në Francë, në një mbrëmje tjetër magjike të kuqezinjve në Renë, ndërsa shënojmë rezultatin e parë pozitive në pesë ballafaqimet me “gjelat”. Tashmë na pret të martën një tjetër miqësore luksi, këtë herë në Xhenova përballë 4 herë kampiones së botës, Italisë.
Që do të thotë se do të ketë një supermotivim nga tanët për një tjetër ndeshje të mirë. Nuk duhet harruar që Franca e mbrëmshme në Renë dhe Italia e së martës në Xhenova janë një vitrinë e mirë për kuqezinjtë pse jo për të gjetur ekipe më të mëdha nga ç’janë. Ndaj e djeshmja me Francën ka qenë më shumë se sa mrekulli.